Hoti: Kosova kurrë nuk është kritikuar në Kongresin Amerikan, siç ndodhi gjatë raportimit të Escobar

Aktuale

Hoti: Kosova kurrë nuk është kritikuar në Kongresin Amerikan, siç ndodhi gjatë raportimit të Escobar

Më: 20 korrik 2023 Në ora: 15:59
Avdullah Hoti

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova kurrë nuk është kritikuar në Komitetin për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, siç ndodhi para dy dite gjatë raportimit të Escobar.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se edhe në të kaluarën janë dhënë vërejtje e sugjerime për Kosovën, por ka pasur vlerësime pozitive.

Hoti ka shtuar se nuk ka rrugë tjetër pos mirëmbajtjes dhe avancimit të marrëdhënieve tona me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë.

Hoti ka thënë po ashtu se ndoshta kontrata për lobim, që e paska nënshkruar Qeveria, do të ndryshojë qasjen e Amerikës ndaj Kosovës!

Postimi i tij i plotë:

Kosova kurrë nuk është kritikuar në Komitetin për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, siç ndodhi para dy dite gjatë raportimit të z. Gabriel Eskobar lidhur politikën e Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor.

Sigurisht se në diskutimet në këtë Komitet në të kaluarën janë dhënë vërejtje e sugjerime për Kosovën, por gjithmonë ka pasur vlerësime pozitive për qasjen strategjike të Kosovës në bashkërendim me aleatët.

Nuk duhet të na ngushëllojë fakti se kritikat kanë qenë edhe më të mëdha ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat po e mbajnë peng progresin e rajonit drejt integrimit evropian.

Mirëmbajtja dhe avancimi i marrëdhënieve tona me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë është e vetmja mënyrë për tu bërë ballë sfidave në konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për ne nuk ka rrugë tjetër. Imagjinoni për një moment pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe perspektivën e integrimit euro-atlantik pa mbështetjen e aleatëve dhe do të bindeni për nevojën e koordinimit tonë të plotë dhe të përhershëm me aleatët.

Ndoshta kontrata për lobim, që e paska nënshkrua Qeveria, do të ndryshojë qasjen e Amerikës ndaj Kosovës!!!!!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat