Mërgimtarët presin deri në 7 orë në pikën e kalimit kufitar Dheu i Bardhë

Aktuale

Mërgimtarët presin deri në 7 orë në pikën e kalimit kufitar Dheu i Bardhë

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 21:37
Ilustrim

Fluksi i madh i bashkatdhetarëve për t’i kaluar pushimet në vendlindje ka bërë që të krijohen kolona të gjata të automjeteve në pikën kufitare te Dheu i Bardhë. Ata kanë treguar se në temperatura të larta kanë pritur deri në 7 orë për të hyrë nga Serbia në Kosovë. Për pritjet e gjata ka raportuar edhe Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar.

Dalja jashtë veturave e edhe ecja më këmbë sikur ua bënte më të lehtë bashkatdhetarëve përballjen me temperaturat e larta gjatë pritjes së tyre disaorëshe në kufi. Numri i madh i mërgimtarëve që kanë udhëtuar në drejtim të Kosovës dhe procedurat e kontrollit kanë ndikuar në krijimin e kolonave të gjata në kufirin Kosovë-Serbi. Mërgimtarët që hynë përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë treguan se kanë pritur deri në shtatë orë. Në këtë pikë kufitare, sipas mërgimtarëve, radhët e veturave që prisnin për të hyrë kanë qenë të gjata.

Muhamet Maliqi, që ka ardhur për pushime në Kosovë nga Italia, tregon se lodhjen më të madhe e përjetoi në kufirin te Dheu i Bardhë.

“Po, më shpejt kam ardhur nga Zagrebi deri këtu se këtë kufi që e kalova këtu, që jemi duke pritur qe 7 orë. Prej orës 7, sa është ora, dikur rreth 14 tash… deri në Bujanoc e ke kolonë. Nja 20 km po”, ka thënë Maliqi.

Për pritje të gjata kanë rrëfyer edhe qytetarët e tjerë gjatë mesditës së të premtes.

Rrugën krejt mirë, por këtu na kanë lodhë. Na kanë këput krejt… Prej 8 jam këtu deri qetash. Në kufi tjerë super. Këtu kemi pritë shumë, na ra goxha gjatë, po çka me ba”, është shprehur një mërgimtar që nuk ka dashur të prezantohej.

E një mërgimtar që erdhi me veturë nga Gjermania përmendi edhe disa probleme që, sipas tij, janë të përvitshme.

“Jemi prej orës 7 duke pritur këtu në kolonë kah ana e Bujanocit, shumë kolonë, nuk punojshin. Kishte parregullsi të mëdha. U futnin pa rend, kalojshin si gjithmonë si ja bëjnë tek ne. Merrshin pare, ryshfet edhe i kalojshin. Prej orës 7 jemi, është ora 13 tash”, ka thënë ai.

E Ahmet Xhemali ka treguar se si e shmangu kolonën.

“Jam kthy, këtu kam pritë dy orë edhe jam kthye. Kam hyrë tjetër kah krejt. Tash erdha sigurimin me e ba”, ka thënë Xhemali.

Kolona e pritje deri në një orë pati edhe për daljet përmes kësaj pike kufitare.

Bazuar në të dhënat nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, mërgimtarëve gjatë mesditës u është dashur që të prisnin deri në 5 orë për të hyrë nga Dheu i Bardhë në Kosovë e 60 minuta për të dalë.

Këtë verë fluksi i mërgimtarëve që kanë hyrë nga Merdar ka qenë relativisht i ulët. Sipas të dhënave të kësaj qendre, pritjet për hyrje-dalje zgjasin pesë minuta.

Fluks të madh të qytetarëve që kanë ardhur nga vendet evropiane ka pasur edhe në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë. Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar, Valentina Gara, ka bërë të ditur se në gjashtëmujorin e parë ka rritje të fluturimeve dhe udhëtarëve për mbi 15 për qind.

“Për 6-mujorin e parë kemi rritje mbi 15%. Vitin e kaluar pothuajse kemi arritur shifrën prej 3 milionë udhëtarësh, ndërsa këtë vit presim ta arrijmë dhe ta tejkalojmë shifrën prej 3 milionë udhëtarëve”, ka thënë Gara.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Aeroporti, Zvicra dhe Gjermania në periudhën janar-qershor prijnë me numrin më të madh të udhëtarëve.

Korriku dhe gushti janë muajt që shfrytëzohen më së shumti për pushime në vendlindje nga mërgimtarët. Jo zyrtarisht thuhet se numri i shqiptarëve të Kosovës që jetojnë aktualisht, sidomos në vendet e Evropës dhe SHBA, arrin në afro 1.5 milionë. Ky komunitet ka ndikim vendimtar në ekonominë, përkatësisht mirëqenien sociale në Kosovë. Mbi 2 miliardë euro është shuma që ata dërgojnë apo shpenzojnë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat