Avokati Besnik Berisha ka pranuar një përgjigje nga Prokuroria e Shtetit

Aktuale

Avokati Besnik Berisha ka pranuar një përgjigje nga Prokuroria e Shtetit

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 11:38
Besnik Berisha

Avokati Besnik Berisha javën që lam pas i është drejtuar me një kërkesë U.D., Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi për pretendimet e tij se u arrestua në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare, për siç thotë me urdhër të pushtetit dhe ministres së Drejtësisë, përmes prokurorit Rasim Maloku.

Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridona Kozmaqi-Hajdaraj, konfirmon pranimin e kësaj kërkese dhe nisjen e shqyrtimit të saj.

E njëjta informoi se edhe avokati Besnik Berisha është njoftuar se ka filluar të bëhet verifikimi i pretendimeve të ngritura nga ai.

“Për rastin për të cilin keni pyetur ju informoj është pranuar kërkesa në fjalë dhe menjëherë ka filluar shqyrtimi i saj. Edhe parashtruesi i kërkesës është njoftuar se ka filluar të bëhet verifikimi i pretendimeve te ngritura”, thuhet në përgjigjen e Kozmaqi-Hajdaraj.

Avokati Berisha pretendon se “prokurori Rasim Maloku ka keqpërdorur dhe tejkaluar kompetencat e tij me rastin e bastisjes së njërës prej pronave të mia, gjatë së cilës ishte personalisht i pranishëm”.

Prandaj, ai kërkon që ndër të tjera të themelohet një ekip prokurorësh që të vlerësojnë veprimet e marra të prokurorit Maloku në rastin e tij si dhe të iniciohet procedurë hetimore kundër tij.

Për akuzat që ia ka bërë prej disa ditësh, prokurori Rasim Maloku nuk është deklaruar akoma.

Ndërkohë, avokati Nasuf Hasani, ka njoftuar se do ta përfaqësojë ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu për ta paditur avokatin Besnik Berisha, për siç ka thënë për deklaratën e tij se “Ministrja Haxhiu e ka urdhëruar Prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin”.

Ditë më parë avokati Hasani tha se do të parashtrojnë padi por se vlerën e dëmit nuk e kanë përcaktuar akoma.

Avokati Besnik Berisha në një konferencë të thirrur me gazetarë ka deklaruar se “nuk ka kryer asnjë krim”.

Ai u shpreh se arrestimi i tij ka qenë veprim skandaloz dhe arbitrar dhe sipas tij, kjo është bë për shkak të inateve personale.

Sipas tij ka ndodh edhe për shkak të kritikave që i ka ai ndaj prokurorit të rastit dhe ministres Haxhiu.

“Një prej arrestimeve më skandaloze, veprimeve më arbitare që i ka ndodh një avokati të Republikës së Kosovës”, e komentoi Berisha arrestimin e tij.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, arrestimi i Besnik Berishës u bë nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave‘ dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat