​Ambasada e Italisë reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

Aktuale

​Ambasada e Italisë reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 21:06
Foto ilustrim

Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë.

Në reagim thuhet se kërcënimet dhe frikësimet janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.

Ambasada e Italisë e ka shpërndarë reagimin e shefit të EULEX-it në Kosovë i cili i ka quajtur të papranueshme këto kërcënime.

“Policët e rinj nga komunitetet joshumicë të Kosovës meritojnë mbështetjen tonë të pakushtëzuar, veçanërisht nga qytetarët e komunave në të cilat janë caktuar. Kërcënimet dhe frikësimet janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Italisë në Twitter.

E Giovanni Pietro Barbano ka thënë se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapodislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar Barbano në Twitter.

Media ka raportuar se rrjete sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.

Publikimi është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram.

Më tej janë publikuar emrat dhe mbiemrat e pesë serbëve.

Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.

KosovaPress nuk e ka bërë publik identitetin e serbëve në mënyrë që mos t’i kontribuojë rritjes së kërcënimit ndaj tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat