Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për skemat pensionale

Aktuale

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për skemat pensionale

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 06:54 Përditësuar në ora: 17:31 më 27.07.2023
Kuvendi i Kosovës

S’ka kuorum për votim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për zyrtarët publikë

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk arriti që në seancën e sotme ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128. Në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë dhe dy të tjerë që ishin të pranishëm.

Derisa mazhoranca e mbështeti këtë projektligj, kritik dhe kundër ishin deputetët opozitarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi tha se ky projektligj ka për qëllim përmbushjen e objektivit kryesor për një administratë profesionale dhe të përgjegjshme në pajtim me standardet më të mira.

Muzaqi:Synohet një administratë profesionale

“Ky projektligj ka për qëllim që të ndryshojë dhe plotësojë ligjin për zyrtarët publikë i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin 08/L0-128 dhe jo atë që e u pretendua më herët para ardhjes nga kjo pikë nga një kolegë opozitar, që tha se trajtohet ligji, i cili është subjekt i trajtimit në Gjykatën Kushtetuese, sepse atje subjekt i trajtimit në Gjykatën Kushtetuese është ligji 08/L-197, i cili është miratuar në këtë Kuvend më 22 dhjetor 2022. Pra, fjala është për ligjin aktual, i cili është në fuqi që nga korriku i vitit 2020....Projektligji ka për qëllim përmbushjen e objektivit qendror që ka Kosova që të ketë një administratë profesionale dhe të përgjegjshme në pajtim me standardet më të mira për administratë publike...mundëson që të fillojnë dhe përfundojnë procedurat e rekrutimit në afate që sigurojnë efikasitetin dhe efiçiencën në kuadër të pozitiva të lira”, tha ai.

Kritik për këtë projektligj u shpreh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili tha se kjo nismë legjislative është e çuditshme dhe antikushtetuese.

Sipas tij, me këto veprime po tregohet se pushteti po bën gjithçka për të shkatërruar administratën shtetërore.

Selmanaj: Nuk po doni me humb asnjë ditë me kap administratën e shtetit

“Kjo nismë legjislative sa është e çuditshme është po aq është edhe në kundërshtim me çdo praktikë të jetës parlamentare që e kemi tash e sa vite në Kosovë. Është ligji i tretë apo katërt që lidhet me administratën publike dhe ministri i Administratës Publike nuk e thotë asnjë fjalë as për ligjit për pagat e zyrtarëve publik, por as për ligjet paraprake që lidheshin me zyrtarët publik...tani na vjen një projektligj për një çështje, e cila duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese jashtë çdo logjike dhe praktikës parlamentare dhe unë mendoj se është kundër rendit juridik kushtetuese të ndërtuar në Kosovë“...Kjo ka vetëm një arsyetim ju nuk po doni mos me humb asnjë ditë për me kap administratën e shtetit dhe për ta shkatërruar unë mendoj se jeni duke i bërë dëm të madh vendit dhe jeni duke shkatërruar një administratë“, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri se ky projektligj nuk rregullon pozicionin e zyrtarit publik, por është ligj që rregullon pozicionin politik dhe partiak në nivel të lartë.

Tahiri: Ky ligj rregullon pozicionimin politik dhe partiak në nivel të lartë

“Kuvendi i Kosovës po e bën një histori që nuk ka ndodhur deri më tani dhe ajo histori nuk është e faqes të bardhë, por e faqes së zezë për secilin deputet. Sot në seancë të jashtëzakonshme po e trajtojmë një ligj, i cili është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për të cilin pritet të Gjykata Kushtetuese ta merr një vendim që ta kundërshtoj apo miratoj. Sot ka ardhur një amendamentin i ligjit që është për zyrtarët publik, i cili në esencë nuk është ligji për rregullimin e pozicionit të zyrtarit publik, por është ligji për rregullimin e pozicionimit politik dhe partiak në nivel të lartë“, tha ai.

Akuza për partinë në pushtet hodhi edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili: Keni dashur të vendosni vetë se kënd të shkarkoni dhe të emëroni

“Juve iu mjafton kjo periudhë kohore vetëm që të vazhdoni me largime e me emërime të reja dhe nuk do të ishte kjo linjë e argumentimit aq ndoshta le të themi e arsyeshme nëse nuk do të tentonit ta bënit të njëjtën me Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për shërbimi civil, ju keni sjell një ligj për ta që është gjithashtu kushtetues...çka keni bërë aty keni thënë që ai Këshill nuk duhet me vendos për pozitat e nivelit të lartë sepse keni dashur të vendosni vetë dhe keni dashur që në ato pozita t’i shkarkoni e emëroni ata që doni ju”, theksoi ajo.

​Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për skemat pensionale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Për këtë projektligj votuan 76 deputetë, përfshirë edhe nga dy partitë opozitare, LDK dhe AAK, megjithëse shprehën shqetësime se në këtë projektligj ka dispozita diskriminuese për punëtorët e viteve ‘90-ta që janë larguar nga puna në mënyrë të dhunshme.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se Projektligji për skemat pensionale nuk është sjell në Kuvend sipas obligimeve që rrjedhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Berisha: Ky Projektligj dëmton edhe punëtorët e larguar nga puna në vitet e 90-ta.

“Pensioni parcial dhe jo sipas obligimeve që rrjedhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është kjo që ju po e prezantoni. Ky Projektligj dëmton edhe punëtorët e larguar nga puna në vitet e 90-ta. Pasi ju njeh vetëm stazhin por jo edhe kontributet siç është rasti me punëtorët e arsimit të vitit 1990”, tha ai.

Kritike u shpreh edhe deputetjae LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se prap ka kushte për ata që nuk e arrijnë nivelin prej 15 vjetësh përvojë pune.

Bajrami: Prapë do të ngelet një lloj diskriminimi

“Prapë do të ngelet një lloj diskriminimi, për shkak se prapë është një kusht që thotë se shuma e periudhës e kontributeve të paguara sipas paragrafit 2.2 dhe periudhës të largimit të dhunshëm nga puna sipas paragrafit 2.3 deri më 1 janar 1999 bashkërisht arrin nivelin prej 15 vjetësh. Çka do të ndodh me ata që nuk e arrijë nivelin prej 15 vjetësh”, tha ajo.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Dreshaj: Ky projektligj nuk i plotëson as rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese

“Projekt-propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat sociale kontributdhënëse është i pjesshëm dhe nuk i plotëson as rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj si i një rëndësie të veçantë do të duhej të përfshinte dhe t’i largonte diskriminimin e bëra deri më sot. Largimin e limitimit në 15 vjet për kontributdhënie kjo që gjendet ende në këtë projekt-propozim”, deklaroi ai.

Por ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e tha të kundërtën e deputetëve.

Sipas tij përmes të njëjtit, rregullohet diskriminimi për pensione që u është bërë personave të larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90’ta.

Murati: Me këtë ligj po rregullohet çështja e diskriminimit

“Jemi munduar që në mënyrën më të mirë të mundshme ta adresojmë këtë çështje dhe e kemi sjell këtë projektligj I cili më në fund e rregullon çështjen e diskriminimit të atyre që nuk kanë mundur pa fajin e tyre të plotësojnë kriterin prej 15 vite përvojë pune dhe të llogaritet si pension kontribut-pagues. Ka pas iniciativa edhe më herë u tha, mirëpo, më lejoni të iu rikujtoj që ato iniciativa me sa më kujtohet kanë paraparë që ndikimi buxhetor kanë paraparë të jetë 3-4 milionë euro në vit që nuk ka qenë realiste, tash e kemi një projektligj që është përllogaritur me ndikim buxhetor 60 milionë euro në vit që është dallim substancial”, theksoi ai.

Krahas kësaj, Kuvendi me mocion votoi që në orën 19:00 në seancë të jashtëzakonshme të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për plotësim-ndryshimin e skemave pensionale të financuara nga shteti.

​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e konsiderojnë të jashtëzakonshme mbajtjen e seancës së sotme në orën 14:00 dhe atë për të cilën thanë se kanë marr njoftim për në orën 16:00.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi u shpreh se propozuesi duhet të jap arsyeshmërinë e kësaj jashtëzakonshmërie ku në një seancë të trajtohen dy çështje totalisht të ndryshme.

Sipas tij, kjo po ndikon në negativisht në kualitetin e ligjeve.

Gashi: Kjo po ndikon negativisht në kualitetin e ligjeve

“Kishte qenë mirë që propozuesi me të na shpjegojë arsyeshmërinë e jashtëzakonshmërisë së këtyre dy çështjeve totalisht të ndryshme si bashkohen në jashtëzakonshmërinë e tyre, dhe ne po ashtu para disa orësh morëm një ftesët për një seancë tjetër të jashtëzakonshme por sot në ora 16:00. Çka ka të jashtëzakonshme pse duhet Kuvendi t’i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme brenda një dite të shqyrtojë tri pika të cilat janë totalisht të ndryshme dhe të paktën dy prej tyre mund të presin zakonishmërinë e seancave. Pse duhet me u bë kjo punë sepse kjo po ndikon negativisht në kualitetin e ligjeve dhe po krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshmërinë ku një grup parlamentar”, tha ai.

Tutje ai theksoi se me këtë sjellje po i humb esenca e parlamentarizmit.

Gashi: Normaliteti I shkeljeve procedural kuvendore I rrezikshëm

“Unë nuk po shoh diçka të jashtëzakonshme që duhet me u mbledh sot në ora 16:00 ose ora 14:00 me I trajtua me një zakonshmëri dy çështje totalisht të ndryshme dhe po ashtu me ardhur në ora 16:00 me ftesën që e kemi marr po sot me trajtua një ligj në dy leximet po sot po i humb esenca parlamentarizmit, ky normaliteti i shkeljes së procedurave kuvendore dhe i praktikave demokratike në këtë mënyrë po fillon po bëhet I rrezikshëm”, tha ai.

Mendim të njëjtë me Gashin paraqiti edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se është e paprecedent që të sillen ligje për shqyrtim të cilat janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Ai theksoi se kjo qasje është totalisht e paarsyeshme.

Tahiri: Thirrja e këtyre seanca e pakuptimtë

“Ky Kuvend sot i ka thirrur tri seanca të jashtëzakonshme për tri ligje të zakonshme, për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese. Është e paprecedent dhe as në historinë e këtij parlamenti edhe të parlamentarizmit që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj i cili është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese, është totalisht e pakuptimitë dhe po të drejtohem edhe ty kryetar si thirrës i seancës që po ashtu ta trajtosh këtë çështje me shumë kujdes... 100 mijë herë kishte më qenë më urgjente të diskutohet rrezikshmëërinë e Policisë në veri të Kosovës dhe e kishte pas mbështetjen e deputetëve, por me na sjell ligje të cilat i nënshtrohen një procedure parlamentare, me na sjell një ligj që është duke u diskutuar në Gjykatë Kushtetuese kjo tregon me të vërtetë për një logjikë ose totalisht të paaftë ose seriozisht të mbrapsht. Kërkoj prej teje si kryetar dhe prej kolegëve të LVV të reflektojnë pse, pse duhet ky me u bë peng i një qeverisje totalisht in-efektive i një qeverisje me ligje anti-kushtetuese për të trajtuar ligje”, theksoi ai.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

Po, ashtu në këtë seancë në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.

​Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, vendoset shirit ndarës në pjesën ku qëndrojnë mediat

Në Kuvendin e Kosovë ka nisur seanca e jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

Në pjesën ku po qëndrojnë mediat, është vendosur shirit ndarës. Ai është vendosur nga administrata e Kuvendit, siç është thënë për çështje sigurie.

Në seancën e jashtëzakonshme, në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.

Ndërsa, në seancë nuk janë të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Paraditen e sotme, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur edhe një seancë tjetër plenare, në të cilën janë shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e muajve paraprakë.

Kuvendi zgjedhë dy anëtarë të Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës ka përzgjedhur dy anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Nga radhët e komunitetit serb është zgjedhur Radoica Mirdianoviq ka fituar 52 vota, ndërsa nga shqiptarët është Dardan Beqiri ka marrë 59 vota.

Në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk do të marrë pjesë në këtë votim nuk do të bëjmë propozim për asnjë kandidat”, ka thënë shefi i GP-së, Abelard Tahiri.

I tërë Grupit Parlamentar i kësaj partie lëshoi seancën e Kuvendit pas kësaj deklarate të Tahirit.

Kuvendi miraton disa pika të seancave të kaluara, PDK e AAK nuk marrin pjesë në votim

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës janë votuar disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara. Por, njëra projekt-rezolutë e propozua nga LDK u hoq nga rendi i ditës, ndërsa ajo e AAK-së nuk mori votat e mjaftueshme.

E në votimin e pikave që u miratuan nuk mori pjesë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në lexim të dytë plotësim-ndryshimi i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Ky projektligj u përkrah edhe nga LDK.

Kurse, 62 deputetë ia dhanë mbështetjen rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka votuar Hamit Bashollin dhe Selvete Gagicën anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Këta dy emra janë propozuara nga Qeveria e Kosovës, dhe në Parlamentin e Kosovës morën 63 vota.

Mandati i këtyre dy anëtarëve është 3 vjeçar.

Ndërsa, Kuvendi nuk e ka votuar Projekt-rezolutën nga interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

Kjo projekt-rezolutë e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mori mbështetjen e 58 ligjvënësve të Kosovës që ishin nga mazhoranca, derisa 14 votuan pro, e 4 ishin abstenime.

E shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e propozuar nga 8 deputetë të Kuvendit të Kosovës është shtyrë për sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, në seancë po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

PDK lëshon sallën e kuvendit, s’merr pjesë në votim

Deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së e kanë lëshuar seancën e sotme parlamentare.

Kjo erdhi menjëherë pas deklaratës së shefit të këtij grupi, Abelard Tahirit.

Ai tha se ata nuk do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

“Nuk do të marrë pjesë në këtë votim nuk do të bëjmë propozim për asnjë kandidat”, ka thënë Tahiri.

Gjashtë asambleistë të Cyrihut mysafirë në Kuvend, tre prej tyre shqiptarë

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kanë qenë mysafirë gjashtë asamblistë të Cyrihut.

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka deklaruar se u uron mirëseardhje në emër të të gjithë deputetëve.

Tre nga këta gjashtë asamblistë janë shqiptarë.

Kujtojmë, se seanca po vazhdon.

Kuvendi merr masa shtesë të sigurisë

Më 13 korrik deputetë të pozitës dhe opozitës u përleshën në sallën e Kuvendit të Kosovës.

E pikërisht për këtë shkak janë ndërmarrë masa shtesë të sigurisë.

Policë civil janë vendosur brenda korridorit të kuvendit.

E po ashtu edhe zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, janë vendosur edhe tek pjesa e mediave.

Deputetët nuk votuan pro rishikimit të buxhetit dhe rritjes së pagave në sektorin publik

Në Kuvendin e Kosovë sot nuk është votuar për rishikimin e buxhetit të Kosovës dhe rritjen e pagave të sektorit publik.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se 14 deputetë votuan për, kundër 58 dhe katër të tjerë abstenuan.

Diskutimet për këtë pikë të rendit të ditës kishin mbaruar në seancën e 22 qershorit, sot ishte vetëm votimi i projekt-rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

Kërkesa për këtë interpelancë me Muratin ishte nisur nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat