​Rasti i Klan Kosovës, KPM dhe ARBK raportojnë në Komisionin për Administratë Publike

Aktuale

​Rasti i Klan Kosovës, KPM dhe ARBK raportojnë në Komisionin për Administratë Publike

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 13:53
Komisioni i Pavarur për Media dhe Agjencia për Regjistrim të Bizneseve

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal sot raportuan Komisioni i Pavarur për Media dhe Agjencia për Regjistrim të Bizneseve. Në këtë mbledhje u diskutua për ndryshimin e pronësisë së Klan Kosovës dhe pezullimin e licencës së biznesit për këtë medium. Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së deklaroi se ka anuluar vendimin e drejtoreshës së kaluar, ku thuhej se Klan Kosova ka parashtruar kërkesën për ndryshimin e të dhënave. Po ashtu, theksoi se ka vërejtur mungesë të dokumentacioneve për aplikim, për çka tha se ka iniciuar procedurë ndaj zyrtarëve për mungesë dokumentacionesh.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, Lebibe Haliti tregoi se nuk ka pasur kërkesë për shfuqizim të vendimit ndaj Klan Kosovës dhe për këtë ka anuluar vendimin e drejtoreshës së kaluar.

"Vendimin me 14 qershor e ka vendosur drejtoresha e kaluar, por e cila me 21 qershor pa një kërkesë nga përfaqësuesi i biznesit, në këtë rast Klan Kosova kundër vendimit, drejtoresha e ka shfuqizuar vendimin që e ka nxjerrë me arsyetim se i njëjti në sportelet e ARBK-së e ka parashtruar kërkesën për ndryshimin e të dhënave. Drejtoresha e ka shfuqizuar këtë vendim me arsyetimin se janë bërë korrigjimet e duhura. Ky vendim i dytë nga drejtoresha për Regjistrim të Bizneseve, është anuluar nga ana ime, për shkak se është konsideruar që gabimet apo të metat që kanë qenë dhe kanë ardhur deri te vendimi dhe që është iniciuar edhe kallëzim penal për këtë çështje, nuk janë gabime teknike, nuk janë korrigjime siç e parasheh Ligji për Shoqëri Tregtare, prandaj i njëjti është anuluar”, deklaroi Haliti.

Më tej, ajo tha se ndryshimet e fundit teknike që janë tentuar të bëhen, janë ndaluar nga ana e saj.

Po ashtu, ajo theksoi se ka pasur mungesë të dokumentacioneve gjatë vitit 2008, kur tha se ka adresuar këto probleme.

“Në vitin 2008, saktë në datën 26.11.2008 në ARBK ka aplikuar për regjistrim shoqëria tregtare “Klan Kosova”, me pronar Aleksandër Frangaj, qytetar nga Shqipëria. Në bazë të të dhënave që kam gjetur në arkiv mungon dokumentacioni me çfarë dokumente ka ardhur dhe ka aplikuar ky qytetar nga Shqipëria, këtu figuron vetëm aplikacioni për regjistrim të ARBK-së e që janë edhe një numër tjetër që përcakton udhëzime administrative se çfarë dokumentesh duhet të sillen për regjistrimin e një biznesi....Kam adresuar për personat përgjegjës këto probleme, për shkak se konsideroj që është e qëllimshme mungesa e një dokumentacioni të tillë, i cili është edhe obligim ligjor. Kam iniciuar edhe procedurë ndaj zyrtarëve edhe për mungesë dokumentacioni edhe për mungesë të përgjegjësisë të veprimeve dhe mos-veprimeve”, shtoi ajo para anëtarëve të komisionit parlamentar.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti u shpreh se të dhënat që kanë në rastin e Klan Kosovës, ka pasur certifikatë valide dhe nënshtetësi të Kosovës për licencim.

“Nga të dhënat që kemi ne në rastin e Klan Kosovës, në vitin 2009 i është dhënë një licencë për të operuar me pronar Aleksandër Frangaj, në vitin 2019- 10 vite më dhonë i është ripërtërirë licensa me të njëjtin pronar. Në vitin 2020 është bërë kërkesa dhe është miratuar kërkesa për ndryshim të pronësisë nga zotëri Frangaj tek Kushtrim Gojani. Me dosjen që kam kërkuar unë për miratimin e ndryshimit të kërkesës, është ofrtuar dokumentacion se a i plotëson kriterin, a e ka certifikatën valide të lëshuar nga ARBK dhe ka një certifikatë valide të lëshuar nga ARBK si biznes. Kriteri i dytë është pronari a ka nënshtësi të Republikës së Kosovës, në dosje e kam letërnjoftimin e zotëri Gojanit dhe i ka plotësuar këto dy kritere”, u shpreh ai.

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha se në këtë rast ka edhe elemente politike.

“Mua më intereson të dijë nga aspekti ligjor, cili është faji i një kompanie që kërkon ndryshimin në ARBK dhe ARBK i lejon ndryshimet? Cili është faji i atij biznesi pas sa e sa viteve që të dëmtohet? Unë në këtë rast po bëjë edhe pyetje konkrete, a jemi të sigurt ne edhe bizneset në Kosovë që do të marrim vetëm epilog ligjor e jo politik, sepse këtu po përmendet me emër një kompani, por mua po më duket këtu që ka edhe elemente politike”, u shpreh Veliu.

Anëtarja e Komisionit të Pavarur për Media, Luljeta Aliu theksoi se janë duke diskutuar që në të ardhmen mediat të kenë trajtim ndryshe kur lëshohet certifikata.

“Do të duhej që ARBK të mos lëshojë certifikatë biznesi, pa e pasur në dokumentacion edhe aprovimin paraparak nga KPM. Kjo është diçka që deri tani nuk është kërkuar, nuk është një nga kriteret apo një nga dokumentacioni, i cili duhet të dorëzohet. Për arsye edhe mendoj që në bashkëpunim me ARBK, ta shohim se si do ta bëjmë që në listën e dokumentacioneve, mediat ta keni një trajtim ndryshe kur lëshohet certifikata, meqë kanë një peshë tjetër, një rëndësi tjetër, një natyrë tjetër të punës”, tha ajo.

Ndërkaq, anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu tha se nuk ka nevojë të ketë memorandume bashkëpunimi mes KPM-së dhe ARBK-së, meqë do të krijohet një precedent i rrezikshëm. 

“Unë mendoj që e kemi ligjin për KPK-në dhe konform ligjit për KPK-në e kemi shumë të qartë gjitha veprimet që duhet të ndërmerren për secilën do kompani mediale që ka për obligim t’i ndjek procedurat qoftë për licencim, qoftë për kërkesë të ndryshimit të pronësisë, të cilat KPM duhet t’i ketë parasysh. Unë mendoj që ndoshta mund të ketë një rregullore të re, por ju nuk mund të thoni që nuk kemi asnjë nen në kuadër të ligjit që na i përcakton çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin, kur ky ligj shkelet. Dhe është shkel disa herë në fakt prej Klan Kosovës, përderisa për një periudhë kohore janë bërë disa herë ndryshimet e pronësisë dhe ju as nuk jeni njoftuar dhe as nuk e keni miratuar këtë ndryshim”, deklaroi deputetja e LVV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat