Diplomati i Bidenit, që pritet t’i rehatojë Kosovën e Serbinë

Aktuale

Diplomati i Bidenit, që pritet t’i rehatojë Kosovën e Serbinë

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 20:55
James O Brien

Më shumë se dy muaj pas nominimit nga presidenti Joe Biden, James O Brien, shkoi në një seancë dëgjimore në Senatin Amerikan, të mërkurën mbrëma.

Ky top-diplomat amerikan me përvojë të gjatë në Ballkan ku ka qenë edhe i dërguar special presidencial, kur të konfirmohet nga Senati, do bëhet ndihmës sekretar i shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.

Në dëshminë e tij të shkruar por edhe atë me mikrofon, ai zotoi angazhimin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor.

O’Brien, thotë se gjashtë shteteve të këtij rajoni duhet t’u jepen sipas tij kërkesa e stimuj të qartë e të ripërtërirë për t’u reformuar, derisa bëjnë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Pritjet, janë që ky diplomat të merret më intensivisht me dialogun Kosovë-Serbi.

Paraardhësja e tij në post, Karen Donfried, që dha dorëheqje  në mars, derisa mbajti pozitën bëri vizitë të veçantë veç e veç në dy shtetet ballkanike. Stacion të parë e kishte Prishtinë ku qëndroi më 25 prill 2022.

Një studiues amerikan i procesit të bisedimeve kosovaro-serbe, i cili ka punuar me zyrtarin e lartë të SHBA-ve, thotë se nga James O’Brien, që deri tani ishte shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, nuk duhet të ketë pritje për shkak të kohës kur po e merr detyrën.

”Ai është ndihmës sekretar për Evropën e cila tani po kërcënohet nga një luftë agresioni në Ukrainë. O’Brien do jetë përgjegjës që të mbaj bashkë aleatët që t’i përgjigjen kësaj situate. Ka po ashtu çështje tjera me Evropën. Kështu që njerëzit në Prishtinë dhe në Beograd po ashtu duhet pajtuar se problemet e tyre nuk janë më top-prioritet”, thotë Daniel Serwer, profesor në universitetin amerikan, ”Johns Hopkins”.

Një ndryshim tjetër i kuadrove të mëdha diplomatike, ka ndodhur në Washington po ashtu këtyre ditëve. Këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit,Derek Chollet, i njohur si njeri i afërt i sekretarit Antony Blinken, e që u mor me dialogun Kosovë-Serbi, u largua nga kjo detyrë.

Chollet, siç raportojnë mediet amerikane tani është caktuar Nënsekretar i Mbrojtjes për Politikat, në Departamentin e Mbrojtjet Amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat