Ambasadori i Francës: S’po shohim progres, s’janë plotësuar kushtet për t’u hequr masat e BE-së

Aktuale

Ambasadori i Francës: S’po shohim progres, s’janë plotësuar kushtet për t’u hequr masat e BE-së

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 12:19
Olivier Guerot

Kryeministri Albin Kurti ende ka çështje të hapura me Bashkimin Europian për veriun.

Zëvendësi i tij Besnik Bislimi, gati tre javë më parë e solli një marrëveshje nga Bratisllava kur shkoi ta takojë Emisarin Miroslav Lajçak, pasi Kosova mori ndëshkimin europian, por kjo nuk i ka ndryshuar shumë gjërat.

Hapat që i ka bërë Qeveria  për shtensionimin e situatës në  pjesën veriore nuk po konsiderohen të mjaftueshëm, për ta përmbushur kërkesën që po e artikulojnë Kurti dhe Bislimi – heqjen e masave ose sanksioneve.

Ambasadori i Francës Olivier Guerot  ka një mesazh direkt “Koha po kalon dhe nuk po shohim asnjë përparim”.

Këtu bëhet fjalë për vonesat në largimin e policisë dhe mungesën e përgatitjet për zgjedhje.

“Nuk shohim ndonjë progres as për zgjedhjet e parakohshme, as për miratimin e akteve nënligjore konform nenit 72 të ligjit të qeverisjes lokale për zgjedhjet. Pa miratimin e nje akti nënligjor, qytetarët e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën që u jep ky ligj”, thekson ambasadori.

Konstatimi se nuk ka progres  ambasadorin e çon në një përfundim.

“Masat e marra nga BE janë të kthyeshme. Ato nuk u morën lehtë, por qeveria e Kosovës ende nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për heqjen e tyre”.

Pra, në bazë të përgjigjeve të përfaqësuesit diplomatik të Francës del se ka një bllokadë të re në raportet Prishtinë -Bruksel për deeskalimin në Veri.

Kurti s’është pajtuar që të largojë kryetarët nga objektet komunale atje, Guérot pohon se kërkesa europiane  për këtë mbetet në fuqi.

Zyrarët e lartë europianë përgjegjës për dialogun tashmë kanë shkuar në pushimet verore dhe mund t’i shijojnë ato  gjatë gjithë gushtit.  Guerot, ndërkaq, paralajmëron një takim Kurti – -Vuciq  pritet të ndodhë në fillim, sic thotë ai, të “vitit shkollor”, Por, deri atëherë,  diplomati francez këmbëngul se topi ende është në fushën e Kosovës.

“E gjithë Evropa pret përmirësim të situatës dhe veprime konkrete nga qeveria e Kosovës në këtë drejtim. Përndryshe ketë e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat