​Haxhiu synon ndryshime, Qendrat për Punë Sociale punojnë në formate të para 20 vitesh

Aktuale

​Haxhiu synon ndryshime, Qendrat për Punë Sociale punojnë në formate të para 20 vitesh

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 12:44
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se Qendrat për Punë Sociale po vazhdojnë të punojnë me formate të stërvjetëruara të para dy dekadave. Sipas saj, shërbimet sociale po ofrohen pa u përshtatur me legjislacionin e miratuar ndër vite, e as rrethanat. Ajo zotohet që do të ketë reformë në këto qendra, ani pse ka rezerva nga QPS-të. Qendra për Punë Sociale në Gjakovë deklaron se zyrtarët e shërbimeve sociale janë në një situatë jo të mirë. Megjithatë, nuk shprehin kundërshtimin për reforma nga ana e institucioneve.

Që nga janari i këtij viti, Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër shërbimet sociale, ku është bërë një analizë e gjendjes së Qendrave për Punë Sociale. Ministrja Albulena Haxhiu deklaron se të njëjtat po vazhdojnë të punojnë me formate të para 20 vitesh.

Haxhiu: Ne kemi hasur në formate të stërvjetëruara me anë të cilave punohet ende

“Ne kemi pasur diskutime në raport me mënyrën se si bëhen këto planet individuale dhe të planet e përgjithshme për trajtimin e një personi, i cili merr shërbime qoftë nga Qendra për Punë Sociale, apo është i strehuar në strehimore. Sidomos në një rast të fundit, të cilin e kemi pasur dhe e kemi ndjekur me shqetësim është rasti i 11-vjeçares, ne kemi diskutuar për të gjithë dosjen, në kuptim të marrjes se cilat janë shërbimet që i ka marrë në këtë rast fëmija, viktima. Dhe kur kemi parë këtë dosje, ne kemi hasur në formate të stërvjetëruara, me anë të së cilave punohet ende. Keni parasysh që para 20 viteve, janë disa forma, me të cilat ende punojnë Qendrat për Punë Sociale. Pa ja përshtatur fare as legjislacionit që është miratuar ndër vite, as rrethanave. Dhe unë e kam ngritur me shqetësim këtë çështje. Dhe tani kemi marrë përsipër që kjo të ndryshohet në kuptimin që edhe përshtatet me rrethanat por edhe pse jo me legjislacionin i cili është në fuqi”, deklaron Haxhiu.

Haxhiu thekson se do të jetë sfiduese reforma në këto qendra, meqë ka rezerva nga disa Komuna.

Haxhiu: Reforma në Qendrat për Punë Sociale mund të jetë shumë sfiduese

“Unë e di që reforma në Qendrat për Punë Sociale mund të jetë shumë sfiduese. Sepse për sa kohë ne e kemi vullnetin për të adresuar, në anën tjetër ka rezerva nga disa prej Komunave, sepse nuk konsiderojnë rëndësinë që kanë Qendrat për Punë Sociale. Por, meqë tani ne kemi marrë përsipër, në do të vazhdojmë reformat dhe do t’i adresojmë të gjitha problemet në të cilat jemi ballafaquar”, shton ajo.

Kp tentoi të marrë përgjigje nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë e Drenas, por nuk kanë dhënë përgjigje në lidhje me këtë.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, Dervish Tahiri thotë se janë të hapur për çfarëdo avancimi, pavarësisht se nuk janë të kënaqur me trajtimin nga institucionet.

Tahiri: Zyrtarët e shërbimeve sociale janë në një situatë tepër jo të mirë

“Çfarëdo avancimi që eventualisht mund të parashohin nga ekipet profesionale, të cilat do të kishin ndikuar në ngritjen e kapacitetit edhe produktivitetit e zyrtarëve të shërbimeve për të përfituar njohuri sa më të shumta edhe më të mira për interes për të vënë në shërbim të qytetarëve, do të ishte e mirëseardhur. Megjithatë, nuk po e di se çfarë misioni kanë, çfarë forme duan t’i qasen kësaj pune, por një gjë e di që zyrtarët e shërbimeve sociale janë në një situatë tepër jo të mirë, nuk vlerësohen si zyrtarë profesionalë edhe pse në çdo legjislacionet figurojnë që janë zyrtarë profesionalë të fushës dhe te kategorizimi i Ligjit të Pagave, po ashtu janë dëmtuar nuk kanë ndonjë vlerësim”, shprehet ai.

Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se procedurat standarde të veprimit nuk mund të ndryshohen pa u miratuar Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

Breznica: Procedurat standarde të veprimit nuk mund të ndryshohen

“Procedurat standarde të veprimit nuk mund të ndryshohen pa u miratuar Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, në momentin që ky ligj miratohet, padyshim që edhe procedurat duhet të ndryshojnë konform këtij ligji dhe konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera që Kosova ka në fuqi. Përderisa kanë kaluar afër 10 vite që kur as Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje nuk është ndryshuar e as procedurat standarde të veprimit, padyshim që dokumentet tjera përcjellëse që institucionet tona përpilojnë për viktimat do të jenë shabllone dhe nuk do t’i afrohen standardeve për trajtimin e mirë dhe të menjëhershëm të dhunës në familje dhe në baza gjinore”, deklaron ajo.

Breznica shton se dështimi më i madh në trajtimin e rasteve të dhunës në bazë gjinore është koordinimi në mes të institucioneve.

Breznica: Institucionet tona dështojnë qysh të informojnë viktimën për të drejtën e saj

“Rrjeti i Grave të Kosovës në praktikë çfarë sheh si dështim për trajtim të rasteve të dhunës në bazë gjinore, është koordinimi në mes institucioneve. Kjo është një prej dështimeve që më së shumti që ne kemi mundur të shohim në terren. Institucionet tona dështojnë qysh të informojnë viktimën për të drejtën e saj, dështojnë të bëjnë vlerësimin të rrezikut, dështojnë të bëjnë planin afatgjatë rehabilitues dhe riintegrues për viktimat e dhunës në familje dhe viktimave të tjera të rasteve të dhunës në baza gjinore. Zinxhiri institucional është dashur të funksionojë më mirë mes vete, në mënyrë që krejt institucionet të japin një përgjigje të menjëhershme dhe të duhur për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore”, thotë Breznica.

Në mbledhjen e grupit ndërministror kundër dhunës në familje, pas dhunimit të 11-vjeçares brenda strehimores, është ngritur shqetësimi për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen. Aty është thënë se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat