Monitoruesit e Kuvendit: Legjislativi nuk ishte produktiv

Aktuale

Monitoruesit e Kuvendit: Legjislativi nuk ishte produktiv

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 14:10
Foto ilustrim

Përkundër ekzistimit të një shumice të fortë parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk ishte mjaft produktiv gjatë sesionit pranveror. Kështu thonë monitorues të Kuvendit, sipas të cilëve, Qeveria dhe mazhoranca nuk punuan mjaftueshëm në miratimin e ligjeve. Monitoruesit thonë se e shohin me shqetësim dështimin e shumë seancave.

Mungesa e kuorumit ishte mjaft e shpeshtë dhe pengesë për trajtimin e shumë pikave në thuajse shumicën e seancave plenare, vlerësojnë monitorues të punës së legjislativit. Sipas tyre, kjo është një praktikë e dëmshme dhe se sigurimi i kuorumit është përgjegjësi e shumicës parlamentare.

Duke folur për Radio Kosovën Mexhide Demolli – Nimani, nga Lëvizja Fol, thotë se nuk kanë pritur më shumë nga legjislativi.

“Gjatë këtij sesioni kemi parë shumë-shumë herë që seancat kanë dështuar në mungesë të kuorumit. Dhe, kjo përgjegjësi është komplet mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si parti që e ka shumicën në Kuvend dhe që nuk arrin t’i mbajë deputetët e saj të përgjegjshëm për detyrat që i kanë si të zgjedhur të popullit”, tha ajo.

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, po ashtu vlerëson se mungesa e kuorumit pengoi efikasitetin e legjislativit.

“Në shumë raste ka munguar kuorumi në seanca dhe shumica nuk ka arritur që t’i sigurojë numrat për të miratuar ligjet. Por, ka pasur edhe raste pozitive, sidomos në fillim, kur edhe opozita i ka ndihmuar qeverisë që t’i kalojë ligjet. Ka pasur një bashkëpunim për disa ligje të caktuara, e po ashtu ka pasur një vullnet të mirë të opozitës për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare për çka duhet të votojnë 2/3 e deputetëve”, theksoi Haxholli për Radio Kosovën.

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se bazuar në monitorimet e tyre, rezulton se Kuvendi ka pasur performancë të dobët.

“Mbi bazën e disa gjetjeve mund të themi se Kuvendi ka pasur performancë të dobët. Kuvendi ka filluar dhe ka vazhduar punën pa miratim të programit të punës. Ndërkohë, problem ka qenë mungesa e kuorumit në Kryesinë e Kuvendit, si një fenomen i ri, si dhe mungesa e kuorumit në shumë seanca plenare”, tha ai. 

Seanca e fundit për sesionin pranveror përfundoi pa filluar fare për mungesë kuorumi, e ku pritej të shqyrtoheshin 24 pika të rendit të ditës, mes tyre shumë marrëveshje ndërkombëtare.

Kuvendi punimet i rifillon në muajin shtator, kur nis sesioni dimëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat