"Dorëheqja e kryetarëve aktual, opsioni më i lehtë për zgjedhje"

Aktuale

"Dorëheqja e kryetarëve aktual, opsioni më i lehtë për zgjedhje"

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 16:16
Foto ilustrim

Katër kryetarët e komunave veriore duhet të japin dorëheqje e pastaj të shpallen zgjedhjet e parakohshme atje. Mënyra vullnetare e dorëheqjes së kryetarëve është opsioni më i lehtë dhe më i pastër për t’u shpallur zgjedhjet e parakohshme, thonë njohës të rrethanave politike në vend. Ata thonë se qeveria duhet të tregojë se e ka seriozisht çështjen e kompromiseve për qetësimin e situatës në veri.

Ish-drejtues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por edhe ish-kryetarë komunalë, kanë shpjeguar se ligji (për qeverisje lokale) parasheh tri forma administrative për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Për ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, dorëheqjet janë opsioni më i lehtë dhe më i pastër.

“Dorëheqjet shkaktojnë zgjedhje të reja që do të mbahen brenda një periudhe të shkurtër (gjithsej 60 ditë)”, shkroi Ahmeti në ‘Twitter’. Këtë mënyrë e përkrah edhe Instituti Demokratik i Kosovës. Megjithatë Eugen Cakolli, nga ky institut, thotë për Radio Kosovën se dorëheqjet varen nga vullneti i kryetarëve komunalë, dy prej të cilëve nuk vijnë nga partia në pushtet.

“Normalisht kjo varet nga pjesa e vullnetit politik për të ndërmarrë veprime të tilla por edhe brenda spektrit politik, për shkak se dy nga katër kryetarët nuk vijnë nga partia e Kurtit por nga një parti tjetër opozitare. Prandaj, duhet të ketë konsultime edhe me ta”, tha Cakolli për Radio Kosovën.

Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri. Nga Qeveria Kurti ndonëse kanë thënë se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje, megjithatë thonë se ato nuk mund të mbahen pa u hequr sanksionet e BE-së kundrejt Kosovës.

Por, për analistin Artan Muhaxhiri deklaratat e tilla kanë për qëllim që të nxjerrin Kosovën përfituese pas kompromisit të bërë për situatën në veri.

“Kosova gjithsesi duhet të dëshmojë se e ka seriozisht çështjen e kompromiseve dhe nuk do t’i befasojë për të keq as aleatët amerikanë as aleatët evropianë me ndonjë aventurë të re. Nëse masat largohen dhe mbahen zgjedhjet në veri kjo gjë që do të çojë në de-eskalim të situatës dhe drejt normalizimit të situatës atje”, tha Muhaxhiri.

Njohës të tjerë të situatës politike, thonë se në cilindo opsion që iniciohen zgjedhjet, duhet ta kenë parasysh edhe koston më të ulët financiare për mbajtjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat