Diplomati holandez i befasur me heshtjen e BE-së dhe ShBA-së ndaj agresionit diplomatik të Serbisë

Aktuale

Diplomati holandez i befasur me heshtjen e BE-së dhe ShBA-së ndaj agresionit diplomatik të Serbisë

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 06:19
Robert Bosch

Serbia po e vazhdon agresionin diplomatik ndaj Kosovës, pavarësisht marrëveshjeve të arritura për normalizimin e marrëdhënieve.

Së fundmi, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq bëri të ditur se Suriname është shteti i radhës që e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kurse vetëm disa muaj më parë, Serbia u përpoq ta bllokoj aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, edhe pse në marrëveshjen e fundit në Ohër është zotuar se nuk do ta pengoj Kosovën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

E me këtë qasje të Serbisë nuk është i befasuar diplomati holandez, Robert Bosch, megjithëse ai shprehet jashtëzakonisht kritik ndaj BE-së dhe SHBA-së, për heshtjen e tyre karshi Beogradit zyrtar.

“Aleksandër Vuçiq de facto nuk e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit. Me t’u kthyer nga Ohri në Beograd, ai deklaroi se çka do pranonte e çka nuk do të pranonte nga marrëveshja. Prandaj veprimet e tij nuk më befasojnë, sepse ai me fillim e bëri të qartë këtë gjë. Mua më befason vetëm qasja e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Heshtja e tyre karshi Serbisë është e çuditshme”, deklaroi Bosch.

Bosch, thotë se vetëm Kosovës po i bëhet presion, duke përmendur këtu kërkesën e vazhdueshme të shteteve perëndimore për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, serbët nuk duhet të kenë një statut të veçantë në një shoqëri multi-etnike.

“Shtetet perëndimore po e kërkojnë më ngulm që Kosova sa më shpejtë të themeloj Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Unë gjithnjë kam qenë kundër kësaj ideje, sepse kjo bie ndesh me vlerat multi-etnike të vendit. Nëse synojmë një shoqëri multi-etnike në Kosovë, atëherë përse serbët duhet ta kenë një status të veçantë për dallim nga komunitetet e tjera. Çështja tjetër problematike është se Serbia nuk po pranon që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Bosch.

Me 10 korrik, në Bratisllavë, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, u pajtuan për shtensionimin e situatës në veri të Kosovë. Si rrjedhojë, Qeveria ndërmori disa hapa në këtë drejtim, por për BE-në po rezultojnë të jenë të pamjaftueshëm, sa për t’i hequr masat kufizuese që i ka aplikuar ndaj Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat