Kush është Dritan Goxhaj, ish-luftëtari i UÇK-së që po raportohet se u arrestua nga Gjykata Speciale

Aktuale

Kush është Dritan Goxhaj, ish-luftëtari i UÇK-së që po raportohet se u arrestua nga Gjykata Speciale

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 17:00
Dritan Goxhaj

Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po raportohet se është arrestuar në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale.

Sipas mediave në Shqipëri, ai është arrestuar me dyshimin se ka publikuar emrat e disa dëshmitarëve për disa procese të krimeve të luftës.

Megjithatë, kjo është krejtësisht e pakonfirmuar.

Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK’së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit.

Goxhaj ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Kohë më parë, Goxhaj e kishte përmendur këshilltaren e ministres Albulena Haxhiu, si një dëshmitare të mundshme në procesin ndaj Salih Mustafës.

“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress, më 2 janar të këtij viti.

“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, pretendon autori i shkrimit.

Në një opinion që ishte publikuar, ai kishte thënë se Bala është dëshmitare. Megjithatë, opinioni sot nuk mund të gjendet në agjencinë Kosovapress.

Ndaj fjalëve të Goxhajt ishte përgjigjur edhe Bala, duke thënë se ai po ia rrezikon jetën.

Ai është djali i ish-zv.shefi i Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.

Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat