Luksit të profesorëve në UP i vjen fundi

Aktuale

Luksit të profesorëve në UP i vjen fundi

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 13:12
Universiteti i Prishtinës

Universitet publik apo kolegje private, kjo është dilema e cila ka përfshirë profesorët e UP-së të cilët kanë angazhim edhe në kolegje tjera private.

Vetëm deri më 20 shtator të këtij viti,kur edhe fillon viti i ri akademik, profesorët e Universitetit të Prishtinës kanë kohë që të përcaktohen se ku do të jetë angazhimi i tyre, në universitetin e shtetit, apo në kolegjet private.

Kjo pasi që Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim që profesorëve të saj të ua ndalojë angazhimin në kolegjet apo institucionet e tjera private të arsimit të lartë në Kosovë.

“Nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akreditimit, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen e çfarëdo forme të kolegjit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional” – thuhet në vendim.

Përveç në kolegjet private, Universiteti i Prishtinës  profesorëve ua ka ndaluar edhe angazhimin përmes marrëdhënies së rregullt të punës nëpër institucionet tjera publike, angazhim i cili mund të ndikojë në mospërmbushje të detyrave në UP, siç janë gjyqtarë, prokurorë, ministra, këshilltarë politikë, kryeshef ekzekutiv, e të ngjashëm.

Pra sipas vendimit, stafi akademik i UP-së për çdo 20 shtator duhet të përcaktohet se ku do të vazhdojë angazhimin, në UP apo në institucion tjetër.

E ky vendim po mirëpritet mjaftë mirë nga njohësit e fushës së arsimit të lartë.

Profesori i UP-së, Blerim Rexha, në një deklaratë shprehet se me këtë vendim po tregohet se më në fund tregu i arsimit të lartë në Kosovë është stabilizuar.

Madje ai thotë se në një kohë afatgjatë ky vendim do të rritë dukshëm cilësinë e arsimit në krejt Kosovën.

Në rend të parë, ky vendim tregon se tregu i arsimit të lartë në Kosovë është stabilizuar dhe institucionet publike më në fund po i marrin seriozisht konkurrencën nga institucionet private të arsimit të lartë. Të gjithë ne tani garojmë për tregun e njëjtë – për këta 21 mijë maturantë nga shkollat e mesme.  E dyta, profesorët universitar nuk duhet të shndërrohen në profesorë të shkollës së mesme që ligjëratën/mësimin e njëjtë e përsërisin në disa vende tjera – kjo aspak nuk i kontribuon zhvillimit akademik të institucionit dhe vendit në përgjithësi. E fundit, po jo nga rëndësia, mendoj se afatgjatë vendimi do ta rritë cilësinë në arsimin e lartë në krejt Kosovën, sepse institucionet e arsimit të lartë do të përcaktohen me qartë dhe do të investojnë më shumë në mësimdhënësit e tyre. Reputacioni secilit institucion të arsimit të lartë do të lidhet në mënyrë unike me reputacionin e kuadrove akademike që ka. Sikurse në çdo fushë tjetër – resursi më i vlefshëm i çdo institucioni – janë njerëzit e tij!”, u shpreh Rexha.

Vendimit iu gëzua edhe organizata që merret me ngritjen në cilësinë e arsimit ‘ORCA’, megjithëse mendojnë se është vendim i vonuar.

Dibran Hoxha nga kjo organizatë, thotë se ky është vetëm hapi i parë për të pasur nën kontroll mbarëvajtjen e procesit akademik nga profesorët, pasi sipas gjetjeve të tyre tendenca e të njëjtëve është që të mungojnë në ligjërata.

“Ne si organizatë konsiderojmë se ky vendim është i duhur, ndonëse për bindjen tonë pak i vonuar, meqenëse  që nga viti 2017 kur në për herë të parë e kemi has një dukuri në Universitete publike kryesisht në UP për shkak të shumë ankesave të studentëve  për mungesën e profesorëve në ligjërata, konsultime apo edhe provime,  kemi monitoruar në një periudhë 3 mujore në Fakultetin filozofik, juridik dhe ekonomik për procesin dhe mbarëvajtjen e ligjëratave dhe konsultimeve nga ana e profesorëve dhe e kemi pa që me të vërtetë ankesat e studentëve qëndrojnë dhe një pjesë dërrmuese e stafit akademik mungojnë në këto procese akademike, që atë kohë e kemi kuptuar  që profesorët e Universiteteve Publike kryesisht,  meqë kjo na interesonte dhe paguhen nga buxheti shtetit, këta kishin angazhime të tjera disa në poste politike disa në kolegje private apo edhe angazhime të natyrave tjera, që bënte të pamundur të ishin të rregullt në universitete. Kështu që vendimi është i duhur por megjithatë vendimi është vetëm hapi parë, hapi dytë është që njësitë akademike apo vet rektoratet e universiteteve publike të nxjerrin rregullore normative ndonëse mund te jetë ndonjë në fuqi  që të nxjerrin metoda të reja për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit akademik nga profesorët sepse tendenca është që profesorët të mungojnë dhe t’i lënë asistentët e tyre. Ne mendojmë që duhet avancuar metodat e monitorimit dhe të vihet në një mekanizëm me efikas për monitorim”, thotë Hoxha.

I pyetur nëse ky vendim do të ndikoj negativisht tek profesorët të cilët do detyrohen të lënë njërën punë, Hoxha nuk mendon që ka vend për demotivim apo demoralizim të profesorëve, pasi sipas tij ata paguhen mjaftë mirë krahas punës që bëjnë.

“Ky lloj vendimi nëse i referohemi gjetjeve tona për menaxhimin e financave të universiteteve publike e shohim që shumica buxhetit të tyre shkojnë në paga dhe mëditje dhe nëse e krahasojmë ose qesim në peshore angazhimin e profesorëve krahas pagës që e marrin e them me bindje të plotë që ata paguhen relativisht mirë për kushtet dhe ekonominë tonë si shtet dhe shoqëri, pra e them prapë nëse i referohemi atij raporti mundeni me pa ka profesor që paguhet deri në 2500 euro , pra profesorët paguhen për këto lloj procesesh për normën e orëve dhe angazhimeve të rregullta plus për mëditje dhe angazhime në komisione dhe natyra tjetër, pra nëse e qesim në peshore natyrën llojin dhe sasinë angazhimin e tyre  krahas pagës që marrin mendoj që është e mjaftueshme dhe s’mendoj që ka vend për demoralizim apo demotivim brenda universitetit”, nënvizoi ai.

E njohësi i fushës së arsimit, njëherësh ish zëvendësministri i MASHTI-it, Dukagjin Pupovci ka  propozuar që një vendim i ngjashëm të merret edhe për universitetet e tjera publike, meqë thotë se do t’u ndihmonte të profilizohen.

“Do të ishte e arsyeshme që një vendim i ngjashëm të merrej edhe në raport me universitetet tjera publike, që do të ju ndihmonte edhe atyre të profilizohen, duke shmangur replikimin e panevojshëm të programeve të UP-së në ato universitete”, ka thënë Pupovci.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka vendosur më 28 korrik që t’ua ndalojë profesorëve të këtij universiteti që të angazhohen edhe në kolegje private.

Gjithashtu, Universiteti i Prishtinës u ka ndaluar profesorëve dhe stafit akademik që të marrin pjesë në aktivitete promocionale apo akademike në favor të një institucioni tjetër arsimor apo kërkimor, në atë mënyrë që të dëmtoj karakterin konkurrues të UP-së në tregun e arsimit të lartë.

Mosrespektimi i këtyre dhe pikave të tjera të vendimit, profesorëve mund të iu shqiptohen masa disiplinore si pezullimi i marrëdhënies së punës apo deri te ndërprerja e kontratës së punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat