Gazetarët e konsiderojnë të paarsyeshëm qëndrimin në konferencën e ministres Hajdari

Aktuale

Gazetarët e konsiderojnë të paarsyeshëm qëndrimin në konferencën e ministres Hajdari

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 16:27
Foto ilustrim

Gazetarët e mediave të ndryshme kanë bojkotuar konferencën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Në fjalinë e parë të saj, ata kanë larguar mikrofonat nga foltorja dhe më pas edhe kamerat ku po mbahej konferenca. Kjo në shenjë solidarizimi dhe revolte ndaj vendimit të MINT-it për shfuqizimin e certifikatës biznesit të televizionit Klan Kosova.

Gazetarja nga Klan Kosova, Qëndresa Bellagoshi thotë se ishte e palogjikshme prezenca në këtë konferencë pas këtij vendimi.

Bellagoshi: Kemi qenë të një mendimi që është e paarsyeshme të qëndrojmë në konferencë

“Bashkërisht me të gjithë kolegët tjerë gazetarë të cilët kemi qenë të pranishëm, në fakt me shumicën prej tyre kemi qenë të një mendimi që është e paarsyeshme që ne të qëndrojmë sot në këtë konferencë të thirrur nga ministrja Rozeta Hajdari, pas veprimeve të fundit nga kjo ministri. Ka qenë në një far forme e palogjikshme që ne të qëndrojmë dhe të dëgjojmë konferencën të thirrur nga ajo, duke qëndruar sikur të mos ketë ndodhur gjë dhe sikur të mos ketë tentativë që të mbyllet një media”, thotë ajo.

Ajo shton se nuk ka pasur iniciator të këtij bojkoti, por të gjithë kanë qenë të një mendimi që të solidarizohen me mediumin ku ajo punon.

Bellagolli: Kemi tërhequr mikrofonat nga foltorja në fjalinë e saj të parë

“Me të ardhur ministrja Hajdari, e cila edhe ashtu erdhi me vonesë ne të gjithë rend me rend, duke filluar nga unë, kemi tërhequr mikrofonat nga foltorja në fjalinë e saj të parë, duke shprehur kështu një mos-interes se çfarë ajo po flet krahasuar me atë se çfarë ajo ka bërë”, shton ajo.

Gazetatari i portalit “Nacionale”, Vullnet Krasniqi, thotë se ministrja Rozeta Hajdari nuk mund të shtiret dhe duhet të jap llogari edhe për rezervat shtetërore.

Krasniqi: Ministra si Rozeta Hajdari shkojnë e vijnë

“Ministrja Hajdari përmes kësaj konference, përmes këtij bojkoti të konferencës duhet të kuptojë një gjë shumë me rëndësi që luftën që ajo e ka zgjedhur të bëjë me mediat, nuk mund t’i shkojë dhe nuk mund të sillet krejt normal, në të njëjtën kohë me mbyll mediat dhe në të njëjtën kohë të ftojë mediat me u shtir që është transparente. Ajo duhet të jap llogari për 10 milionë euro e rezervave që i ka menaxhuar në mënyrën më skandaloze të mundshme edhe kjo që ka ndodhur sot prej gazetarëve është një fuqi që e kanë treguar gazetarët në raport me pushtetin. Dhe që pushteti jonë është i pa ndryshueshëm dhe i pa shtypur karshi qeverisë. Ministrat si Rozeta Hajdari shkojnë e vijnë”, tha ajo.

Edhe gazetari Valon Rashiti nga “Albanian Post” shprehet se bojkoti ndaj konferencës së sotme ka qenë më e pakta për të shprehur pakënaqësitë.

Rashiti: Kjo ka qenë më e pakta që kanë mundur të bëjnë gazetarët

“Një ministre e cila ka vendosur të ja vë drynin një media që nuk ka ndodhur pasluftës asnjëherë në Kosovë, përkundër skandaleve dhe kritikave të mëdha që gazetarët i kanë pasur për gjithë qeveritë e pasluftës. Kjo ka qenë më e pakta për mendimin tim që kanë pasur mundësi të bëjnë gazetarët, meqë dje e patëm edhe një protestë paqësore ku shprehëm pakënaqësitë tona. Një ministre e cila është e njohur për shumë skandale, mos të harrojmë që e ka shkelur me veturë një fëmijë, ka emëruar disa persona në institucione të ndryshme brenda ministrisë kundërligjshëm. Është skandali i vajit që ditëve të fundit ka dalë në pah”, shprehet ai.

Të hënën, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, kanë protestuar në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat