Pranojnë fajësinë e shprehen të penduar dy serbët e akuzuar për pjesëmarrje në protestën e dhunshme në Leposaviq

Aktuale

Pranojnë fajësinë e shprehen të penduar dy serbët e akuzuar për pjesëmarrje në protestën e dhunshme në Leposaviq

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 17:49
Pamje nga veriu

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Sinisha Jeviq dhe Ivan Sekuliq, pranuan fajësinë se tentuan të marrin pjesë në turmën e mbledhur më 30 maj 2023 në Leposaviq dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit.

Pranimin e fajësisë, dy të akuzuarit e bënë pasi iu lexua aktakuza nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.

“Sinqerisht, pendohem që kam rrezikuar jo vetëm veten por dhe të ardhmen time dhe të familjes sime, në të ardhmen do t’i shoh punët e mia dhe familjen time. Nuk do të përsëris veprime të tilla”, tha i akuzuari Jeviq.

Gjithashtu, edhe i akuzuari Sekuliq tha se e ndjen veten fajtor dhe se është penduar.

“Pendohem dhe më vjen keq që e kam sjellë gjykatën dhe familjen time në këtë situatë”, tha ai.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarve në rast, nuk u kundërshtua as nga prokurorja speciale Fejzullahu,

Prokurorja Fejzullahu tha se pasi që të akuzuarit janë konsultuar me mbrojtësit e tyre, Prokuroria konsideron se pranimi i fajësisë lidhet me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale dhe është të përputhje me provat materiale, në të cilat është mbështetur aktakuza, andaj kërkon nga gjykata që ta pranojë pranimin e fajësisë.

Pasi që gjykatësi Vesel Ismajli konstatoi se gjykata e aprovon pranimin e fajësisë nga ana e të  akuzuarave, seanca ka vazhduar me fjalën përfundimtare.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jeviq, avokati Millosh Deloviq  në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që të ketë parasysh pendimin e të akuzuarit dhe se i njëjti nuk i ka kuptuar pasojat e veprimeve të veta.

Ai kërkoi që pasi i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më parë dhe është prind i tre fëmijëve, gjykata t’i shqiptojë një dënim më të lehtë pasi që një dënim më i lartë me burg do të kishte ndikim kontraproduktiv.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sekuliq, avokati Lubomir Pantoviq kërkoi nga gjykata që pasi që nga veprimet e të akuzuarit nuk ka qenë askush i rrezikuar dhe nga armët i është gjetur vetëm piper sprej, të shqiptohet ndaj tij një dënim me burg prej 6 muajsh, i cili dënim të mund të zëvendësohet edhe me gjobë.

Në këto rrethana seanca për këtë rast ka përfunduar, kurse shpallja e aktgjykimit u caktua më 3 gusht 2023.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 24 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Sinisha Jeviq dhe Ivan Sekuliq, pasi që të njëjtët kanë tentuar të marrin pjesë në turmën e mbledhur dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit më 30 maj 2023, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, Komuna e Leposaviqit, që kishin kaluar kufirin dhe në bashkëkryerje kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore, duke u pajisur me thika, çekanë, flamuj të Serbisë, sprej e sende të destinuara për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës, të njëjtit duke qenë në kontakt me pjesëmarrës të tjerë të turmës në Leposaviq, janë pajtuar që t’i bashkëngjiten turmës së dhunshme të protestuesve serbë të 29 majit 2023, me ç‘rast protestuesit i kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri, ku ishin lënduar 30 pjesëtare të KFOR-it, Policisë së Kosovës si dhe ishin dëmtuar veturat e gazetarëve.

Aktakuza thotë se të akuzuarit ishin ndalur nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe kështu ishte pamundësuar pjesëmarrja e tyre në turmën e lartpërmendur

Andaj, më këtë të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen dhe vepër penale të huliganizmit” nga neni 404, paragrafi 1 dhe 3 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Sekuliq në kohë dhe vend të përshkruar si më sipër, pasi ishin ndalur nga pjesëtarë të policisë gjatë kontrollimit në veturë i shin gjetur dhe sekuestruar katër sprej dhe piper sprej, për të cilat nuk kishte autorizim që t’i mbajë.

Më këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të  armëve” nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat