Aliu thotë se kompania private ka importuar lëndë të parë nga Serbia, jo Ministria që ai e drejton

Aktuale

Aliu thotë se kompania private ka importuar lëndë të parë nga Serbia, jo Ministria që ai e drejton

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 21:41
Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka mohuar përfshirjen e Ministrisë së tij në importin e lëndës së parë nga Serbia, duke theksuar se kjo është kryer nga një kompani private.

Aliu ka theksuar se Ministria e tij nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë, apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë.

“Lajmi se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka importuar shtylla prej Serbisë është dezinformatë. Ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë, apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Duke sqaruar rolin e Ministrisë, ai ka shtuar se ajo vetëm mbikëqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, por nuk përcakton, as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara.

Sipas tij, rregullimi i kësaj pjesëje bëhet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen dhe cilat jo.

“Ministria mbikëqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, mirëpo Ministria as nuk e përcakton, e as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara. Ajo pjesë rregullohet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen e cilat jo”, ka shkruar tutje ai.

Në lidhje me pretendimet për “favorizim të produkteve serbe”, ministri Aliu ka theksuar se Ministria përcakton specifikacionet teknike dhe dimensionet e produkteve, por ka një ligj të caktuar që ndalon favorizimin e një produkti apo prodhuesi të veçantë.

Gjithashtu ai ka theksuar se as Ministria dhe as ai personalisht nuk dëshirojnë që furnizimi për lëndën e parë të bëhet nga Serbia për asnjë produkt, veçanërisht nëse ka mundësi të sigurohet produkti nga vendet tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat