“Kur do të kthehet ushtria serbe në Kosovë”

Aktuale

“Kur do të kthehet ushtria serbe në Kosovë”

Nga: A.M. Më: 6 gusht 2023 Në ora: 17:18
Grafiti serb

Profesori Milazim Krasniqi ka komentuar histerinë e Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe planet e Vuçiqit për një konflikt të armatosur në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook u shpreh se presidentin serb e pret një vjeshtë e vështirë, prandaj po tenton t’i frikësojë frikësojë kundërshtarët dhe Perëndimin me një konflikt të armatosur brenda Kosovës.

Po ashtu, Krasniqi, tregoi se deri ku mund të shkoj ky narracion serb për luftën në vendin tonë.

“Deri ku mund të shkojë kjo histeri dhe ky rrezik? Krejt varet nga NATO (KFOR.) Deri sa KFOR kryen mandatin e vet, nuk ka rrezik nga ushtria e Serbisë brenda Kosovës. Prandaj në këtë mesele nuk ka pse ngatërrohet qeveria Kurti”, shkroi ndër të tjera profesori, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

“Kur do të kthehet ushtria serbe në Kosovë”

Në Serbi është sforcuar këto ditë histeria për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Ja pse? E para, sepse presioni i opozitës qytetare serbe dhe i Perëndimit mbi Vuçiqin është në rritje. Atë e pret një vjeshtë shumë turbulente. Ndaj po mundohet t’i frikësojë kundërshtarët dhe Perëndimin me një konflikt të armatosur brenda Kosovës. E dyta, presioni i Rusisë mbi Vuçiqin është në drejtim të eskalimit të konfliktit të Kosovë. Vuçiqi si vasal i Putinit e ka shumë të vështirë t’ia rezistojë gjithë atij presioni rus. E treta, veprimet e Kurtit në veri dhe veçmas ekspozimi i dronëve, ia ka dhënë një pretekst psikologjik Vuçiqit për të mobilizuar serbët me narracionin mbi luftën.

Deri ku mund të shkojë kjo histeri dhe ky rrezik? Krejt varet nga NATO (KFOR.) Deri sa KFOR kryen mandatin e vet, nuk ka rrezik nga ushtria e Serbisë brenda Kosovës. Prandaj në këtë mesele nuk ka pse ngatërrohet qeveria Kurti. Sidomos nuk duhet të bëjë veprime që do ta ekspozonin qeverinë si rrezikuese të sigurisë së KFOR-it. Vetëm në ndonjë rast ekstrem, ku qeveria Kurti do të denoncohej si kërcënuese e sigurisë, do të mund të lejohej ndonjë inkursion blic i ushtrisë serbe në Kosovë. Pra jo për të mbrojtur serbët, po për ta kompromentuar e ndëshkuar qeverinë Kurti. Ndryshe jo. Në një asi rasti KFOR do të mund të rrinte anash, si në rastin e hershëm të barrikadave, kur thoshte se ai ishte problem politik. Por, nëse do të ndodhte diçka e atillë, kriza politike brenda Kosovës do të ishte e paevitueshme dhe me pasoja të rënda, në rend të parë për Kurtin dhe fatin e tij politik. Për atë arsye qeveria Kurti duhet të deesekalojë urgjentisht dhe esencialisht situatën në veri dhe të rikthejë në binarë partneritetin me NATO-n. Nëse vepron ashtu, ato parullat që po përhapen nëpër Serbi për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, mund t’ua ngjesin maceve në bisht, siç thotë një fjalë serbe.

Shkurt: nëse vetëm një ushtar serb kthehet në Kosovë, ai hyn vetëm për shkak të gabimeve eventuale skandaloze të qeverisë së Kosovës. Prandaj në rastin konkret, për veprimet që bën duhet ta mbajmë qeverinë përgjegjëse edhe më shumë se sa në rastet e tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat