Incidenti tragjik në “Bon Vivant”, ky është dyshimi që rëndon mbi pjesëtarin e FSK-së

Aktuale

Incidenti tragjik në “Bon Vivant”, ky është dyshimi që rëndon mbi pjesëtarin e FSK-së

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 08:13
Hisni Gecaj

Një përleshje e armatosur që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 4 gushtit.

Të dyshuar për ngjarjen tragjike në lokalin e njohur ‘Bon Vivant’, janë Andi Pajaziti, Hisni Gecaj, Gzim Zakuti dhe Dukagjin Nikollaj, i cili ka arritur që të arratiset nga vendi i ngjarjes.

Gecaj, i cili ishte i përfshirë në këtë rast është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në natën kur ndodhi krimi, ai ishte bashkë me të ndjerin, Ramadanin, i cili po dyshohet se u vra nga Pajaziti, pas një përleshje fizike.

Ndaj tij, tashmë është caktuar masa e paraburgimit, nën dyshimet për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar thuhet se i ndjeri Kastriot Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Nikollajn dhe një person akoma të paidentifikuar, teksa në ato momente në “Bon Vivant” kishin hyrë Pajaziti dhe Zakuti, ku që nga aty nisi sherri.

Sipas prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, Kastriot Ramadani dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadani dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani”.

“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat