Rreth 2 mijë familje do të subvencionohen për investime efiçiente në shtëpi

Aktuale

Rreth 2 mijë familje do të subvencionohen për investime efiçiente në shtëpi

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 13:17
Foto ilustrim

Nga nesër qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro.

Përmes projektit për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit, që nisi sot nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, u tha se do të përfitojnë rreth 2 mijë familje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se realizimi i këtij projekti tregon për prioritetin që e kanë për efiçiencë të energjisë, derisa tha se si rezultat i masave qeveritare është ulur për katër për qind kërkesa për energji elektrike.

Rizvanolli: Qytetarët do të subvencionohen për 45 për qind të vlerës së investimit

“Të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë subvencion prej 45 për qind të vlerës së investimit për të rinovuar shtëpitë e tyre për t’i bërë ato më efiçiente. Qytetarët mund të aplikojnë për rinovim të shtëpisë që përfshinë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve dhe dritareve dhe izolimin e kulmit. Me lansimin e këtyre masave qytetarëve do t’iu sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër dhe më i freskët në verë. Ky investim do të ndikojë direkt për faturën e energjisë elektrike për familjet por edhe për nevojën për subvencione në rast të krizave që jemi përballur viteve të kaluara”, tha ajo.

Ndërkaq, anëtarja e Bordit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Nora Arifi, tha se ky projekt ka vlerën 10 milionë euro dhe financohet tërësisht nga Bashkimi Evropian.

Ajo shtoi se subvencioni do të rritet në 50 për qind nëse gruaja është pronare e shtëpisë ose prona është në bashkëpronësi të dy bashkëshortëve.

Arifi: Ky projekt ka vlerë prej 10 milionë euro

“Projekti emergjent që e promovojmë sot ka një buxhet prej 10 milionë euro nga i cili do të përfitojnë rreth 2000 mijë familje të Kosovës brenda afatit të realizimit të këtij projekti...Një bonus prej 5 për qind do t’i ofrohet qytetarëve duke e arritur subvencionin në 50 për qind dhe do t’i mundësohet të gjithë atyre që kanë prona në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë. Aplikimi do të realizohet përmes platformës E-Kosova dhe do të zgjasë 45 ditë si fazë e parë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Biannciarsi, tha se përfitimet nga ky projekt janë të shumëfishta, duke përfshirë kursimet financiare në faturat e energjisë elektrike dhe mjedis më të pastër.

Biannciarsi: Përfitimet për këtë projekt janë të shumëfishta

“Përfitimet janë të shumëfishta, përveç se përfitojmë kursime financiare, përfitojmë gjithashtu ajër më të pastër dhe mjedis më të pastër për një shëndet më të mirë publik. Aty padyshim që mbetemi të përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt energjisë së mirë dhe të pastër, dekarbonizimit dhe sigurisë energjetike përmes masave të efiçiencës së energjisë dhe kalimit drejt energjisë së rinovueshme, të cilat janë të dyja thelbësore për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”, deklaroi ai.

Ky projekt është në kuadër të pakos së tretë të masës emergjente që financohet nga Bashkimi Evropian përmes fondeve të IPA.

Kushtet për aplikim janë që shtëpia të jetë e banueshme, të jetë e pa izoluar dhe që 12 muajt e fundit të ketë konsum të energjisë elektrike rreth 250 kWh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat