A ishin të shtënat në QKUK paralajmërim për Andi “Italianin”? Flet avokati i tij

Aktuale

A ishin të shtënat në QKUK paralajmërim për Andi “Italianin”? Flet avokati i tij

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 16:40
Andi Pajaziti

Fanol Krasniqi, avokati i Andi Pajazitit, të përfshirit në përleshjen fizike në “Bon Vivant” ka bërë të ditur se ka biseduar me klientin e tij pas gjuajtjes me armë në afërsi të Klinikës së Ortopedisë, aty ku po trajtohet Pajaziti.

Krasniqi në një prononcim për Gazetën ka bërë të ditur se Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, e ka njoftuar atë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 dhe ka vërejtur prezencë të shtuar të forcave policore.

“Rreth orës 23:30, ora nuk iu kujtojke, tha se është dëgju një krismë, por perimetri sa larg ka qenë jashtë repartit nuk mundi me e përceptu. Por, çka unë mund të kuptoj tha, që pas asaj krismës është mobilizu edhe më shumë gardianët e burgut dhe Njësia Speciale”, deklaroi Krasniqi.

Përgjatë ditës së hënë është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në afërsi të Klinikës së Ortopedisë. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica. i cili tha se informatën për një ndodhi të tillë e mori jo-zyrtarisht.

“Nga ekipi kujdestare jam informuar në mëngjes se ka pasur shtim të masave të sigurisë nga Policia dhe brenda Klinikës nuk ka pasur ndonjë problem. Mirëpo nga policia jo zyrtare kanë dëgjuar të shtëna jashtë Klinikës, mirëpo brenda ne klinikë nuk ka pasur”, tha ai.

Ende nuk dihet se cili ishte qëllimi i gjuajtjes së mbrëmshme me armë. Gazeta ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por deri më tani ky institucion ka qëndruar i heshtur për rastin në fjalë.

Një përleshje e armatosur që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin të premten. Të dyshuar për ngjarjen tragjike në lokalin e njohur “Bon Vivant”, është Andi Pajaziti, i cili ndodhet në spital, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.

Kurse i shumëkërkuari nga FBI, i dyshuar për këtë rast, Dukagjin Nikollaj, ndodhet akoma në arrati.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit në rastin e Bon Vivantit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat