Operacioni ‘Goditja’: Policia kontrolloi mbi 2 mijë vetura, zbulohet sa armë u konfiskuan

Aktuale

Operacioni ‘Goditja’: Policia kontrolloi mbi 2 mijë vetura, zbulohet sa armë u konfiskuan

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 19:48
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar dje se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që nga mbrëmë ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.

Në njoftimin e fundit të PK-së, janë dhënë disa statistika për veturat e kontrolluara deri në muajin korrik, armët e sekuestruara, si dhe aksionin që nisi dje.

“Mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të UO ‘Goditja’ janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës).”, ka njoftuar Policia.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës, me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike në vazhdimësi ka ndërmarrë aktivitet, ka hartuar e zbatuar plane operative, ka ndërmarrë fushata me qëllim të ofrimit të sigurisë në përgjithësi dhe gjetjen e konfiskimin e armëve pa leje në veçanti.

Duke dashur të ofrojmë një pasqyrë rreth numrit të veturave që qarkullojnë në vendin tonë, numrin e veturave që policia ka kontrolluar dhe armëve të konfiskuara, po ofrojmë disa të dhëna statistikore:

Bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse në vendin tonë janë të regjistruara 435 mijë vetura, vetëm në Prishtinë 86 mijë. Këtë vit (1 janar-8 gusht), kanë hyrë në vendin tonë (janë pajisur me Polisa të sigurimit) mbi 204 mijë vetura.

Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO) ‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara.

Mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të UO ‘Goditja’ janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës).

Referuar, të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara.  

Më të dhënat e ofruara, nuk pretendohet të justifikohet armëmbajtja pa leje, nuk pretendohet të minimizohet kjo dukuri e të relativizohet, por të ofrohen disa të dhëna që mund të përdoren për të ofruar një pasqyrë më reale për dukurinë e armëmbajtjeve pa leje. Rreth luftimit të  kësaj dukurie duhet aktivitet i përbashkët i institucioneve relevante në vend. Policia do të vazhdojë aktivitetet duke hartuar e zbatuar plane operative, duke ndërmarrë fushata vetëdijësuese dhe për të pasur suksese më të mëdha fton të gjithë qytetarët për bashkëpunim në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat