“Ndaleni dorën”/ Gazetari nga Gjermania reagon pas vrasjeve të fundit: Ka një mesazh për drejtësinë në Kosovë

Aktuale

“Ndaleni dorën”/ Gazetari nga Gjermania reagon pas vrasjeve të fundit: Ka një mesazh për drejtësinë në Kosovë

Nga: M.L. Më: 10 gusht 2023 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Gazetari nga Gjermania, Bahri Cani ka reaguar pas vrasjeve të fundit që tronditën Kosovën.

Gazetari Cani ka shkruar në Facebook se, është prekëse që disa mërgimtarë duket se po i shfrytëzojnë pushimet dhe shkuarjen në Kosovë për qërim hesapesh.

“Krimet në Kosovë dhe drejtësia - ku po katandisemi kështu?

I biri e vret nënën, miku e vret dhëndrin, fqiu për mexha e ekzekuton fqiun, nga godinat e larta hidhen dhe vriten femra, e të mos flas për kriminelët që vriten mes vete dhe plagosin e rrezikojnë jetën e shumë të tjerëve midis restoranteve plot me njerëz që kishin dalur për dëfrim...

Ajo që më prek shumë dhe më duket tepër tragjike është që disa mërgimtarë duket se po i shfrytëzojnë pushimet dhe shkuarjen në Kosovë për qërim hesapesh. Mbase me shpresë se atje nuk do të kapen apo do të kalojnë më lehtë në gjykata, mbase duke menduar se atje është vend ku nuk ka drejtësi? Tmerr. Ku jemi nisur e ku po katandisemi kështu o njerëz?

Ndaleni dorën, sepse po e shndërrojmë vendin tonë në perëndimin të egër...”, shkruan Cani.

Ai për gjendjen e krijuar e adresoi fajin tek sistemi i drejtësisë në Kosovë.

“Por edhe unë i takoj grupit të njerëzve që besojnë se sistemi i drejtësisë (prokurorët dhe gjykatësit) është deri në fyt fajtor për këtë gjendje dhe për krijimin e një lloj bindjeje se në Kosovë mund të bësh çfarë të duash, se ajo është vend për qërim hesapesh! Prokurorët dhe gjykatësit e lidhur me krimin dhe kriminelët, pjesëtarët e institucioneve që shoqërohen me kriminelë, mosdenimi i kriminelëve me dhjetëra e qindra dosje, e ka krijuar këtë bindje. Mosdenimi me kohë i kriminelëve u ka kushtuar me jetë shumë njerëzve dhe krijon përshtypjen se ata janë të pakapshëm. Kriminelët me dosje të majme lejohen të shetisin rrugëve të Prishtinës, Pejës, Ferizajit...

"Marigona do të kishte jetuar, po të kishte vepruar drejtësia me kohë", kështu tha se fundi vetë ministri i Policisë Xhelal Sveçla! E ekzekutori i Marigonës ka qene shumë i njohur për drejtësinë edhe mė parë, thotë ministri. Ministër, kush janë ata që nuk e kanë evituar këtë vrasje? A kanë emër? Kush janë ata që po lejojnë kriminelët të shetisin të lirë? “, ka pyetur ai.

Bahri Cani tha po ashtu se drejtësia ka nevojë për reforma e disa prej tyre duhet të nxirren mbase edhe në bankën e të akuzuarve !

Ndryshe sot në fshatin Runik të Skenderajt mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë nga persona të maskuar që hynë në një lokal dhe kryen krimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat