Ish-ambasadori holandez: Serbia po bën lojë fjalësh, koha që BE-ja të shohë më në fund

Aktuale

Ish-ambasadori holandez: Serbia po bën lojë fjalësh, koha që BE-ja të shohë më në fund

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 13:55
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian në raport me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë pas deklaratave të fundit të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç e cila ndër të tjera tha se për Beogradin kusht për vazhdimin e procesit të dialogut është përmbushja e obligimeve të dakorduara më parë dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të tejkaluar çështjet e hapura.

Sipas diplomatit holandez Qeveria e udhëhequr nga Bërnabiç bën gjithçka për të minuar stabilitetin në rajon e ndërsa fajëson palën tjetër për mos-konstruktivitet.

“Për Serbinë normalizimi nënkupton Kosova sërish nën sundimin serb. Serbia po bën lojë fjalësh, kjo po bëhet gjithnjë e më e qartë. Koha që BE-ja të shohë më në fund”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Bërnabiç deklaratën në fjalë e dha pas takimit që realizoi të mërkurën me të deleguarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Ndryshe me Peach, një ditë më parë u takua edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Takimin në fjalë e njoftoi vetë Vuçiç përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

Vuçiç ndër të tjera tha se me diplomatin britanik ka zhvilluar, siç e ka quajtur ai, një bisedë serioze dhe kuptimplotë për situatën e krijuar muajve të fundit në Veri të Kosovës.

“Ramë dakord gjithashtu se është e nevojshme që Serbia dhe Britania e Madhe të bëjnë më shumë përpjekje në zhvillimin e ekonomisë sonë dhe marrëdhëniet të përgjithshme politike”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat