Osmani: Minatorëve të Trepçës nuk u dalin pagat, shefat nuk po japin sqarime

Aktuale

Osmani: Minatorëve të Trepçës nuk u dalin pagat, shefat nuk po japin sqarime

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 00:30
Gani Osmani

Minatorët e Trepçës sot kanë bojkotuar punën për shkak se nuk i kanë marrë pagat e muajit të kaluar.

Kjo nuk është hera e parë që për një kohë të shkurtër minatorëve të Mitrovicës nuk u ekzekutohen pagat. Për të njëjtën çështje, ata hynë në grevë edhe në fillim të korrikut.

Për grevat e shpeshta që ata bëjnë, foli Gani Osmani, që është ish-kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.

Për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova ai tha se mendon që e gjithë kjo është për shkak të keq-menaxhimit.

“Pagat nuk bëhen dhe na thonë ‘jo s’kemi para’ dhe nuk u japin shpresa minatorëve që do të dalin pagat. Atë ditë që minatorët e ndalin punën, vjen ndonjë menaxher ose drejtor dhe thotë ‘hyni në punë se pagat do të dalin sot’”, deklaroi Osmani.

Ai tutje shtoi se nuk e di se pse nuk po i lëshojnë pagat e të mos presin që fillimisht minatorët ta bojkotojnë punën.

“Pse nuk vijnë dhe të japin ndonjë sqarim e të thonë ‘o burra nuk ka pagë deri në këtë datë, jemi keq me mjete’. Por përkundrazi, asnjë informacion nuk po u jepet minatorëve”, u shpreh ish-kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat