Dorëheqjet e policëve në veri, gjenerata e fundit u trajnua në Shkollën e Policisë vetëm tre muaj

Aktuale

Dorëheqjet e policëve në veri, gjenerata e fundit u trajnua në Shkollën e Policisë vetëm tre muaj

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 08:43
Policet

Në kohën kur vazhdonte që situata në veri të vendit të jetë ende delikate dhe e tensionuar, Policia e Kosovës, hapi disa konkurse për të përmbushur pozitat e mbetura të lira, pas qindra dorëheqjeve që dhanë policët e komunitetit serb me grada të ndryshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit në nëntor të vitit të kaluar.

Përveç dorëheqjeve, fokusin kryesor të menaxhmentit të Policisë, Qeverisë e Ministrisë së Brendshme e kishte veriu i Mitrovicës, në të cilën do të dërgoheshin njësi të ndryshme për të ofruar rend e siguri në atë zonë.

Me orar të tejzgjatur e me anë të një rotacioni, njësitë policore bënin ndërrimet në pika, lokacione e ndërtesa të komunave.

Kjo situatë zgjati për më shumë se dy muaj ndërsa së fundmi situata ka nisur të shtendoset pas tërheqjes së 25 përqind të njësive policore nga veriu i vendit me kërkesë të ndërkombëtarëve, ndërsa situata ende konsiderohet delikate.

Disa nga konkurset e policisë, mblodhën qindra aplikime të cilat u shqyrtuan, kandidatët u testuan edhe fizikisht edhe psikologjikisht dhe më pas të njëjtit filluan që të mbanin trajnimin kryesor, atë bazik për të mësuar punën e tyre që do i priste në terren.

Policisë së Kosovës, muajin e kaluar në radhët e saj iu shtuan edhe 490 pjesëtarë të rinj, të komuniteteve kryesisht shqiptar, por që pati edhe të komunitetit serb, turk, e boshnjak.

Këta policë të rinj tashmë që kanë nisur punën e tyre muajin e kaluar, kanë kaluar edhe trajnimin bazik, i cili mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.

Ky trajnim kësaj radhe është mbajtur vetëm tre muaj dhe jo 6 sikurse në rekrutimin e policëve të gjeneratave të kaluara.

Gjenerata e 58-të e Policisë së Kosovës, trajnimin e mbajti të përgjysmuar pra për vetëm 3 muaj anipse ishte intensiv.

Policia e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se duke u bazuar në vlerësimet e bëra, për shkak të nevojave urgjente me plotësimin e vendeve të punës dhe nevojave operacionale si dhe pas dorëheqjeve të policëve nga komuniteti serb dhe me qëllim të plotësimit me personel, nga Policia e Kosovës është modifikuar plan-programi por gjithnjë bazuar në modulet e parapara.

“Siç është e ditur edhe në të kaluarën  gjenerata të ndryshme me kadetë të Policisë së Kosovës, kanë kryer trajnime bazike me afate të ndryshme kohore varësisht vlerësimeve të bëra nga kompetentët”- ka thënë zyra për komunikim e Policisë së Kosovës.

Tutje PK ka thënë edhe se zyrtarët policorë do të jenë të gatshëm të dalin në punë si dhe të gjithë do të vazhdojnë trajnimin fushor sipas planprogramit në vendet e tyre të punës.

490 kadetët e rinj e njohur si gjenerata e 58-të e Policisë së Kosovës, u betuan për t’i shërbyer vendit në situata të ndryshme, për të ofruar rend dhe siguri në secilën detyrë që u takon më 14 korrik.

Në këtë ceremoni të diplomimit krerët e shtetit uruan policët e rinj duke u shprehur krenarë me ta dhe theksuan rëndësinë që Kosova të anëtarësohet në Organizata Ndërkombëtare të Policisë.

Në diplomim morën pjesë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani.

25 përqind e policëve në veri u tërhoqën ditë më parë nga katër komunat me shumicë serbë në veri të vendit.

Zvogëlimi në 25 për qind i prezencës policore në veri, është një ndër pikat e dakordimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtendosje të situatës në veri.

Kujtojmë se më 23 maj kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe të zgjedhur në prill të këtij viti hynë brenda objekteve të komunave Leposaviq,  Zubin Potok e Zveçan.

Ajo ditë kaloi me tensione mes policisë dhe protestuesve. Kërkesa e protestuesve ishte që kryetarët e rinj nuk do të përfaqësonin interesat e tyre dhe se për këtë ata nuk mund t’i lejonin që të funksionin nga zyrat e komunës.

Tri ditë më vonë më saktësisht më 26 maj, këto tri komuna u blinduan nga KFOR pas informacioneve se mund të ketë përshkallëzim të situatës pas hyrjes së kryetarëve të rinj në komuna.

Në Zveçan, situata eskaloi, dhjetëra ushtarë të KFOR-it u lënduan, një ushtari më pas iu amputua këmba, protestues të shumtë kërkuan ndihmë mjekësore, gazetarët e reporterët u bllokuan në një kafeteri, ndërsa pati dëme të konsiderueshme të veturave të policisë.

Një situatë e ngjashme sikurse ajo e Zveçanit, nuk u pa në dy komunat tjera Zubin Potok e Leposaviq.

Në Zubin Potok gjendja vazhdimisht raportohej e qetë, por jo edhe në Leposaviq.

Për disa ditë rresht u raportuan e u regjistruar dhjetëra dosje për sulme ndaj gazetarëve, dëmtime të veturave dhe pengim të detyrës.

Gjendja e sigurisë edhe sot konsiderohet e qetë por delikate.

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimevenë vitin 2018 kishte akredituar Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri.

Në bazë të programeve, Akademia e Sigurisë Publike do të ofronte trajnime të punësimit për zyrtarë doganorë, policë, zjarrfikës, shërbimin korrektues, dhe Inspektoratin Policor, të cilët trajnohet për punën e tyre të mëtutjeshme.

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit ka thënë se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ofron arsim cilësor.

Të paktën 23 të vdekur pas fundosjes së anijes me Rohingya

Read more

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat