Pritet që “Masat e sigurisë” së Kurtit të hiqen pas kërkesës së Ambasadës së SHBA

Aktuale

Pritet që “Masat e sigurisë” së Kurtit të hiqen pas kërkesës së Ambasadës së SHBA

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 10:54
Albin Kurti

“Masa e sigurisë” së Qeverisë për mallrat serbe pritet të hiqet pas vërejtjes që shteti ka marrë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Albin Kurti e quan masë të sigurisë dhe jo masë ekonomike një vendim të marrë në mes të qershorit, pas së cilit mallrat serbe u ndaluan të hynin në Kosovë. Për vendimin s’kishte pasur njoftim zyrtar.

Vendimi që ishte marrë pasi forcat serbe i kishin kapur tre policë kufitarë në territorin e Kosovës dhe i kishin dërguar në paraburgim.

Kurti do të njoftonte se institucionet e sigurisë i kishin rritur kontrollet kufitare me Serbinë, në përgjigje të situatës së krijuar atëherë, ndërsa mohonte se kishte ndalim të mallrave nga Serbia.

“Masa tona nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë”, pati thënë shefi i Qeverisë.

Para dhjetë ditësh, Radio Evropa e Lirë raportoi se Mitrovica e Veriut ka mbetur pa mallra serbe për herë të parë pas luftës dhe se mungesa e këtyre mallrave po vërehej edhe në komunat tjera të Kosovës.

Vërejtja e amerikanëve

Pasi serbët u ankuan se ka pothuajse dy muaj që Qeveria e Kosovës i ka lënë pa mallra serbe, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i ka thënë portalit “Kosovo Online” se meqë Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim evropian, duhet të ndërmarrin veprime “që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përtej kufijve të saj, jo veprime që e pengojnë atë”.

“Siç thamë edhe më herët, ne mbështesim iniciativat që mundësojnë qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, duke forcuar sundimin e ligjit në të gjithë rajonin. Pasi që Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim evropian, të dyja vendet duhet të ndërmarrin veprime që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përmes kufirit të tyre dhe jo veprimet që e pengojnë atë”, ka thënë një zëdhënëses i Ambasadës.

Ambasada e SHBA-së ka rikujtuar edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken pas bisedës telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 26 qershor, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe të kthehen menjëherë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Siç kemi thënë prej disa kohësh dhe siç ka thënë Sekretari Blinken pas bisedës me Kryeministrin Kurti më 26 qershor, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i de-përshkallëzojnë tensionet, t’i shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe menjëherë t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.

Ndryshe, mbrëmë vonë – ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, thotë se ka marrë informacion nga kryeministri Albin Kurti se vendimi për ndalimin e importit të mallrave serbe në Kosovë së shpejti do të hiqet.

Ai nuk ka specifikuar datë konkrete për heqjen e masave.

“Mendoj se do të ndodhë së shpejti, me faktin se po lutem që të mos ketë ndonjë komplikim shtesë, që të mos bie në plan të dytë sepse është tani. gjëja e parë në agjendë”, tha Rashiq për RTK.

Serbia është në top 5 shtetet nga të cilat Kosova importon më së shumti mallra.

Mallra në vlerë prej 372 milionë eurosh kanë hyrë nga Serbia në Kosovë vetëm gjatë vitit të kaluar. Ndërkaq Kosova ka shitur në Serbi mallra në vlerë prej rreth 62 milionë euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor të vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 33 milionë e 757 mijë euro.

Në periudhën e njëjtë të vitit 2023, importet nga Serbia janë në vlerën e 13 milionë e 255 mijë eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat