​Vitia: Ish-drejtorit të Auditimit i kemi ofruar mbështetje dhe siguri

Aktuale

​Vitia: Ish-drejtorit të Auditimit i kemi ofruar mbështetje dhe siguri

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 14:26
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se i kanë ofruar siguri maksimale ish-drejtorit të Auditimit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Musa Vitija, mirëpo i njëjti nuk ka dashur të kthehet në Kosovë dhe ka dhënë dorëheqje.

Ish-kreut të Auditimit i ishin djegur dy vetura në harkun kohor prej një muaji vitin e kaluar. Megjithëse nuk janë dhënë detaje, dyshohet se ka të bëjë me punën pasi disa nga të gjeturat atë kohë kishin përfunduar në hetuesi.

Ministri Vitia tha se prej momentit kur iu kanë djegur dy veturat, Vitija ka qëndruar në Gjermani, përkundër siç tha mbështetjes që i kanë ofruar atij.

“Ish-kryesuesi i Auditimit të cilit iu kanë djegur dy veturat, disa herë ne si qeveri kemi shprehur se qëndrojmë prapa tij dhe ai për një kohë relativisht të gjatë ka qëndruar në Gjermani. Në disa kontakte që kam pasur me administratën dhe drejtorin në QKUK është pritur që të kthehet, mirëpo para një kohe ai ka deklaruar se do të jap dorëheqje dhe nuk do të kthehet. Nuk i paraqitur shkaqet se pse nuk po kthehet, por natyrisht ka të bëjë edhe me sigurinë, të cilën ne nga fillimi i kemi thënë se do t’ia ofrojmë dhe i kemi thënë se do t’i qëndrojmë prapa në punën e tij për gjetjen e çdo keqpërdorimi në QKUK... Ne kemi qenë në gjendje që në momentin që kthehet të gjithë sigurinë maksimale që i duhet, jo vetëm atij por secilit person të ndershëm që lufton fenomenet negative ne do të bëjmë maksimumin për t’i ofruar sigurinë e nevojshme”, tha ai.

Në një deklarim për media pas përurimit të një aparature në Klinikën e Onkologjisë, ministri Vitia, paralajmëroi se QKUK-ja shumë shpejtë do ketë statut të ri dhe do të ndahet nga ShSKUK-ja.

“Statuti i ri i ShSKUK-së në javën e ardhshme do të kalojë në diskutime paraprake dhe brenda afatit njëmujor që është i zakonshëm në dokumente të tilla. D.m.th 15 ditë diskutime paraprake dhe 15 ditë diskutime publike, menjëherë do të nënshkruhet dhe pastaj QKUK do të ketë statutin si i ndarë nga ShSKUK-ja dhe do të fillojë punën sikur spitalet të tjera të përgjithshme”, shtoi Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat