Deklarata kundër Kosovës, Bytyçi ‘shpërthen’ ndaj zëdhënësit të BE-së – zbulon disa projekte të rrezikshme!

Aktuale

Deklarata kundër Kosovës, Bytyçi ‘shpërthen’ ndaj zëdhënësit të BE-së – zbulon disa projekte të rrezikshme!

Nga: A.M. Më: 13 gusht 2023 Në ora: 17:32
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano

Deklarata e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano se kinse Kosova nuk po sillet në mënyrë evropiane ka nxitur reagime të mëdha, sa kanë reaguar edhe eurodeputetë ndërkombëtarë.

E së fundi, ndaj Stanos dhe deklaratës së tij kundër Kosovës ka reaguar edhe profesori Enver Bytyçi.

Ai në një postim në Facebook radhiti disa projekte të rrezikshme që fshihen pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së.

“Kritika e Stanos e urdhëruar nga Borrell është vazhdim i masave anti-Kosovë të propozuara prej tyre, me qëllim kthimin e pavarësisë dhe shtetësisë së saj në pikën zero. Pra, Borrell e Stano kanë për qëllim që edhe vendet e tjera të BE-së të pishmanizohen pse e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Me këtë gur ata vrasin dy zogj - Edhe i bëjnë shërbimin e premtuar Serbisë, edhe justifikojnë mos-njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e sovran nga ana e Spanjës”, shkroi ndër të tjera Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

“Kosova e paaftë të sillet në mënyrë evropiane”, ka thënë zëdhënësi i Borrell nga Brukseli, Peter Stano, duke vazhduar kritikat tentencioze kundër institucioneve të shtetit më të ri në Europë.  Kundër kësaj deklarate jodiplomatike ka reaguar edhe eurodeputeti gjerman Reinhard Bütikofer ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian. Bütikofer ka shprehur keqardhjen e tij për mënyrën se si Stano ka komentuar situatën në Kosovë.

Por pas kësaj deklarate të përsëritur kundër Kosovës nga ana e zotit Stano fshihen disa paragjykime dhe ndoshta projekte të rrezikshme. 

Së pari, Peter Stano nuk është deklaruar asnjëherë me këtë gjuhë kundër veprimeve agresive e të dhunshme të Serbisë në Kosovë. Kjo do të thotë se për Stanon dhe Borrell autoritarizmi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është një normalitet. Për pasojënë normalitet europian për Stanon e Borrell është edhe agresiviteti i Beogradit në Kosovë e sidomos veri të saj!

Së dyti, për Stanon dhe Borrell nuk është normale që qeveria dhe institucionet e Kosovës të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tyre. Por unë nuk e di se cili vend europian nuk e mbron si vlerë të parë rë saj sigurinë në territorin e tij! Nëse në Bruksel burokratët e saj e kanë humbur sensin e kësaj vlere, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë shqetësues!

Së treti, Peter Stano nuk i gëzohet faktit se Kosova është demokracia më e përparuar në rajonin e Ballkanit Perendimor. Po ta pranojë këtë fakt ai dhe shefat e tij do të duhej ta shtynin përpara procesin e integrimit të saj në BE. Pikërisht këtë duan të evitojnë burokratët pro-serbë të Brukselit! Prandaj dhe mbrojnë auto e kleptokratin e tipit Aleksandër Vuçiç.

Së katërti, kritika e Stanos e urdhëruar nga Borrell është vazhdim i masave anti-Kosovë të propozuara prej tyre, me qëllim kthimin e pavarësisë dhe shtetësisë së saj në pikën zero. Pra, Borrell e Stano kanë për qëllim që edhe vendet e tjera të BE-së të pishmanizohen pse e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Me këtë gur ata vrasin dy zogj - Edhe i bëjnë shërbimin e premtuar Serbisë, edhe justifikojnë mos-njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e sovran nga ana e Spanjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat