Shkulje flokësh e gjak në hundë - Si u keqtrajtua 4-vjeçarja me aftësi të kufizuara nga logopedi në Podujevë

Aktuale

Shkulje flokësh e gjak në hundë - Si u keqtrajtua 4-vjeçarja me aftësi të kufizuara nga logopedi në Podujevë

Më: 14 gusht 2023 Në ora: 13:46
Foto ilustrim

Besart Sokoli logoped nga Podujeva po dyshohet se ka keqtrajtuar një vajzë 4-vjeçare. Rasti ka ndodhur të shtunën në ordinancën private “Logomedicus”. Sokoli është arrestuar nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj 4-vjeçares të cilës ia ka shkulur flokët dhe lënduar hundën. Viktima është me aftësi të kufizuara.

N.S (iniciale të ndryshuara nga redaksia) është 4-vjeçarja e cila dyshohet se u keqtrajtua nga logopedi Besart Sokoli në Podujevë.  Ajo kishte filluar të shkonte në seanca në klinikën “Logomedicus” që nga 30 qershori i këtij viti.

Deri në gjashtë ditët e para gjithçka po shkonte mirë, më pas N.I kishte nisur të refuzonte dhe të qante sa herë merrte rrugën për te logopedi.

Babai i viktimës në një prononcim për Insajderi ka treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhune në trupin e fëmijës së tij ishin vërejtur në fund të javës së kaluar.

“Nga data 30.6 e këtij viti e kemi qu në seancë të logopedi, e ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë më pas ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune por nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjetë çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjak në hundë dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës, ai i ka thënë ‘kam ushtru presion ma shumë se që duhet’”, ka thënë R.S.Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.

Image
Foto e dhunës së ushtruar mbi 4 vjeçaren

“Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky lloj presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal, e pyetja a ia bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici. Vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares. Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk është në gjendje të mirë që nga dita e shtunë.“Mu çka më ka ndodhë është si me vdekë”, përfundoi R.S.

Pas denoncimit, Besar Sokoli është arrestuar nga policia ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor, Sokoli e ka pranuar se ia ka shkulur flokët vajzës derisa ka qenë duke e trajtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat