Kryetari i Kamenicës u akuzua se pengoi policët në punë, Prokuroria heq dorë nga ndjekja penale

Aktuale

Kryetari i Kamenicës u akuzua se pengoi policët në punë, Prokuroria heq dorë nga ndjekja penale

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 14:52
Kadri Rahimaj

Gjykata Themelore në Gjilan- Dega në Kamenicë ka refuzuar akuzën për kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe të akuzuarin tjetër Besim Ismajlaj, se në tetor të 2020-ës, në Kamenicë, përballë shkollave të mesme, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 24 prill 2023, nga gjyqtarja Valbonë Dërvodeli, refuzimi i akuzës për dy të lartpërmendurit është bërë për arsye se Prokuroria në shqyrtim gjyqësor ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Ndërsa sipas aktgjykimit, të akuzuarit Feim Maliqi dhe Shahin Maliqi, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 4 muaj burgim, dënim i cili me pëlqimin e të akuzuarve do t’iu zëvendësohet me gjobë në shumën prej 1 mijë euro (secilit veç e veç).

Në vendim thuhet se dënimin me gjobë, të akuzuarit detyrohen ta paguajnë në tri këste mujore, duke filluar me këstin e parë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në rast se dënimi me gjobë nuk paguhet, atëherë do të zëvendësohet me dënim me burgim, ku për çdo 20 euro do të llogaritet një ditë burgim.

“Gjykata me rastin e vendosjes mbi llojin dhe lartësinë e sanksionit penal ndaj të akuzuarve Sh.M. dhe F.M. për veprën penale që e kanë kryer, vlerësoi të gjitha rrethanat të cilat në kuptim të nenit 69 të KPRK-së, ndikojnë që dënimi të jetë më i lehtë apo më i rëndë, ashtu që gjykata si rrethanë lehtësuese për të akuzuarit mori: nuk janë të dënuar për vepër penale dhe nuk udhëhiqet procedurë për vepër tjetër penale, kushte jo të mira ekonomike, të pa punë, mbajtës të familjes, ndërsa rrethanë rënduese gjykata mori parasysh rrezikshmërinë shoqërore, shkallën e përgjegjësinë penale”, thuhet në vendim.

Kurse, për të pandehurit Kadri Rahimaj dhe Bislim Ismajlaj, në arsyetimin e vendimit, thuhet se prokurorja që ka përfaqësuar akuzën është tërhequr nga akuza, me arsyetimin se me asnjë provë nuk u vërtetua se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë, andaj Gjykata ka refuzuar akuzën ndaj tyre.

“Në seancën e shqyrtimit kryesor të datës 21.03.2023, përfaqësuesja e akuzës tërhiqet nga akuza lëndore ndaj të akuzuarve, K. R. dhe B. I., meqë pas shtjellimit të provave me asnjë provë nuk u vërtetua se të akuzuarit kanë kryer veprën penale Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401 parag. 5 lidhur me lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Pasi që përfaqësuesja e akuzës ka heqë dorë nga ndjekja penale kundër të akuzuarve, K.R. dhe B.I. gjykata në mbështetje të nenit 362 parag. 1 nënparag. 1.1 të KPPRK-ës, ka refuzuar akuzën e PTh-së në Gjilan kundër të akuzuarve”, thuhet në arsyetimin e Themelores,

Kujtojmë se në prill të 2022-ës, katër të akuzuarit kishin bërë kërkesë për negocim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, për të hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë. Kjo për “Betimi për Drejtësi” ishte konfirmuar nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ilir Rashiti, Refik Basha, Selmon Sadiku dhe Lulzim Canaj. Por, këto kërkesa ishin refuzuar nga Gjykata e Kamenicës.

Në arsyetimin e vendimit të Themelores, për dy të akuzuarit Feim Maliqi dhe Shahin Maliqi, thuhet se mbrojtja e të akuzuarve ishte joreale, jo-objektive, e njëanshme dhe në kundërshtim me provat e shtjelluara.

“Gjykata ka vlerësuar edhe mbrojtjen e të akuzuarve, Sh. M. dhe F. M., mbrojtja e tillë nga ana e të akuzuarve ishte jo reale, jo objektive, e njëanshme dhe në kundërshtim me provat e shtjelluara e dhënë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, mbrojtjes së tyre gjykata nuk ia fali besimin pasi e konsideron të pa bazuar, të akuzuarit në mbrojtjen e tyre mohojnë se kanë kryer veprën penale e cila iu vihet në barrë mirëpo nuk mohojnë se ishin pjesëmarrës në protestë me arsyetimin se rastësisht janë gjetur në Kamenicë dhe me të parë protestën iu kanë bashkangjitur pasiqë edhe fëmitë e tyre për tri vite nuk e kanë ndjekur mësimin, mirëpo nuk e provuan këtë mospranim me asnjë provë për ta bindur gjykatën se nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën po akuzohen”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Ndryshe, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Gjilan ka thënë se ky aktgjykim është bërë i plotfuqishëm më 15 qershor 2023.

Më 29 tetor 2020, në seancën fillestare katër të akuzuarit e kishin mohuar fajësinë për veprën penale që iu vihej në barrë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 12 tetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Kadri Rahimajt, Shahin Maliqit, Besim Ismajlajt dhe Feim Maliqit, me arsyetimin se ata më 5 tetor 2020, në Kamenicë, përballë shkollave të mesme, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas prokurorisë, si pasojë e pakënaqësisë së reformave në arsim, kanë organizuar një protestë të paparalajmëruar, ku e kishin bllokuar rrugën duke i vënë fëmijët përpara dhe pas tentimit nga policia për ta liruar atë, të njëjtit kanë kapur fëmijët e tyre duke i detyruar që të dalin para veturave të policisë, të hipnin mbi këto vetura dhe tërë kohën kanë goditur me duar në njërën veturë policore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit për një kohë të gjatë kanë bllokuar këtë veturë, pastaj gjithnjë duke i nxitur fëmijët kanë arritur para objektit të komunës ku kanë shtyrë ata që të futen në këtë objekt duke e hapur me forcë portën dhe duke i futur disa fëmijë brenda rrethojave të objektit si dhe përmbi rrethoja derisa kanë arritur që t’i fusnin të gjithë fëmijët brenda objektit të komunës.

Me këtë, Kadri Rahimaj, Shahin Maliqi, Besim Ismajlaj dhe Feim Maliqi, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 401, paragrafi 5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në pesë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat