Ish-zëdhënësi i KFOR-it “s’habitet” me dorëheqjen e policëve në veri, ja çfarë thotë për Listën Serbe

Aktuale

Ish-zëdhënësi i KFOR-it “s’habitet” me dorëheqjen e policëve në veri, ja çfarë thotë për Listën Serbe

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 21:18
Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vicenzo Grasso

Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vicenzo Grasso, ka thënë se nuk është ndonjë befasi dorëheqja e tre serbëve, pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri.

Sipas tij, kjo ka ndodhur me ndikimin e Listës Serbe, e cila tha se gjithmonë i ka sabotuar iniciativat që çojnë në integrimin e serbëve të Kosovës.

“Nuk vjen si befasi! Beogradi, përmes Listës Serbe, gjithmonë e ka sabotuar çdo iniciativë që çon në integrimin e serbëve për zhvillimin e shoqërisë paqësore shumëkombëshe në Kosovë. Ata e kanë bërë këtë gjithmonë dhe ne e kemi toleruar gjithmonë pa e kundërshtuar fort këtë sjellje”, ka thënë Grasso.

Lidhur me dorëheqjen e tre policëve, reagime ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Gjermania.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha se SHBA-ja është e përkushtuar për një forcë policore të Kosovës që është multi-etnike.

“Siç kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovës dhe policët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë të lirë nga intimidimi”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Të njëjtin mendim ndau edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili theksoi se një shteti multi-entik i nevojitet një polici multi-etnike.

Ai theksoi se pjesëtarët e Policisë duhet të jenë të lirë të jenë në shërbim të qytetarëve pa dallim etnie.

“Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime”, shkroi Rohde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat