Avokati Bajraktari: Plani, programi dhe vendndodhja e rezervave janë sekret, procedurat jo

Aktuale

Avokati Bajraktari: Plani, programi dhe vendndodhja e rezervave janë sekret, procedurat jo

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 19:45
Ardian Bajraktari

Avokati i njohur Ardian Bajraktari më 30 korrik të këtij viti kur po tematizohej në media çështja e rezervave shtetërore kishte sqaruar bazën ligjore lidhur me informatat e klasifikuara lidhur me rezervat shetetërore. Sipas tij, Plani Strategjik, programi vjetor si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekret shtetëror, por jo edhe procedurat për furnizim.

Sipas Bajraktarit, procedurat e furnizimit janë të hapura dhe transparente për publikun.

“Këto janë transparente dhe publiku mund dhe duhet të di se si janë blerë, sa mjete janë shpenzuar dhe a janë shpenzuar sipas rregullave. Kjo nuk përbën sekret as nuk duhet të ketë informata “të rezervuara” lidhur me mënyrën e furnizimit me rezerva shtetërore.”, kishte shkruar ai.

“Sa i përket çështjes së furnizimit dhe procedurave, ato janë të hapura dhe parashihen në nenin 20, të Ligjit, i cili ndër të tjera thekson: “Blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit, të përcaktuara në Ligjin për Prokurimin Publik”.”, kishte cituar Bajraktari.

Sipas Bajraktarit, Auditori është përgjegjës për kontrollin e përdorimit dhe mbrojtjes së fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal.

Siç kishte sqaruar Bajraktari, aktivitetet e filluara të auditimit, duhet të publikohen në faqen zyrtare të këtij institucioni, derisa kishte deklaruar se bërja e pagesave para pranimit të pasurive/punëve është shkelje e rregullave dhe ligjit.

Ky është postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

Cilat informata janë të “rezervuara” rreth rezervave të shtetit?

Referuar Ligjit Nr. 03/L-244, për Rezervat Shtetërore të Mallrave, në nenin 9, theksohet se: Plani Strategjik, programi vjetor si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave, konsiderohen sekret shtetëror.

Pra, këto tri informata janë sekrete dhe për këto publiku (personat e pa autorizuar) nuk mund dhe nuk duhet të kenë qasje.

Po procedurat për furnizim?

Sa i përket çështjes së furnizimit dhe procedurave, ato janë të hapura dhe parashihen në nenin 20, të Ligjit, i cili ndër të tjera thekson: “Blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit, të përcaktuara në Ligjin për Prokurimin Publik”.

Këto janë transparente dhe publiku mund dhe duhet të di se si janë blerë, sa mjete janë shpenzuar dhe a janë shpenzuar sipas rregullave.

Kjo nuk përbën sekret as nuk duhet të ketë informata “të rezervuara” lidhur me mënyrën e furnizimit me rezerva shtetërore.

Kush vepron për të konstatuar se si shpenzohen fondet publike, paratë tona?

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, është përgjegjës dhe i autorizuar me Kushtetutë për kontrollin e veprimtarive ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridikë shtetëror. Po ashtu, Auditori është përgjegjës për kontrollin e përdorimit dhe mbrojtjes së fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal.

Ky mekanizëm i pavarur kushtetues ka të drejtë të bëjë auditime në çdo kohë, këtë ja garanton neni 18, paragrafi 5 i Ligjit Nr. 05/L-055, për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, i cili ndër të tjera thekson se: “Zyra Kombëtare e Auditimit ka te drejtën që në çfarëdo kohe të kryej auditime të tjera të ndryshme nga auditimet e rregullsisë në institucionet e përmendura në paragrafin 3 dhe 4, të këtij neni dhe për fondet e dhëna nga buxheti për një institucion apo organizatë, e ku përfshihen të gjitha organizatat buxhetore të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë pranuar një buxhet përmes Ligjit vjetor të Buxhetit”.

Aktivitetet e filluara të auditimit, duhet të publikohen në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Rregullat e shpenzimit të parasë publike, përcaktohen te Rregulla financiare Nr. 01/2013, për shpenzimin e parasë publike, e cila buron nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, nenet 22 deri 26 të kësaj Rregullore, ndër të tjera përcaktojnë se paraprakisht duhet të bëhet pranimi i pasurive/punëve pastaj duhet të bëhet pagesa.

Pra, në secilin rast kur veprohet ndryshe (pra kur pagesat bëhen para pranimit të pasurive/punëve) është shkelje e rregullave, rrjedhimisht ka shkelje ligji.

Lajmi se Prokuroria e filloi punën për rezervat shtetërore, është lajm i mirë, por edhe një auditim i veçantë do t’i ndihmonte këtij procesi, rrjedhimisht adresimit të përgjegjësisë eventuale, qoftë për veprim apo për mosveprim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat