U raportua se Ridvan Muharremi është ‘mik’ i kryeministrit Kurti, reagon ashpër Bytyçi – kritikon Buzhalën

Aktuale

U raportua se Ridvan Muharremi është ‘mik’ i kryeministrit Kurti, reagon ashpër Bytyçi – kritikon Buzhalën

Nga: A.M. Më: 19 gusht 2023 Në ora: 13:07
Foto ilustrim

Policia e Kosovës-Njësia e Veçantë e hetimeve me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të premten ka kryer bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe në një shtëpi, dy banesa e në një restorant.

Të arrestuarit e këtij aksioni të policisë janë Ridvan Muharremi, Hafiz Gara e Irfan Lipovica.

Në disa media, Ridvan Muharremi po paraqitet si mik i afërt i Albin Kurtit, e që më pas po e sulmojnë kryeministrinë me këtë fakt.

Për këto raportime në lidhje me afërisën e Kurtit dhe Muharremit ka reaguar ashpër profesori Enver Bytyçi, i cili përmes një postimi në Facebook kritikoi Berat Buzhalën dhe median e tij ‘Nacionale’.

Në Nacionale publikuan një shkrim me titullin: Policia kontroll në lokalin e “mikut” të Albin Kurtit!

Sipas profesorit kushdo që ia bën ‘like’ Kurtit po konsiderohet menjëherë mik i tij, e që kjo sipas tij nuk është e drejtë.

“As sigurimi i UDB-së, KGB-së ose sigurimi i Shtetit të Shqipërisë nuk do ishte i aftë të ndërtonte një narrativë të tillë linçuese, diskriminuese dhe manipuluese si artikuj të tillë. Autorët duket se nuk janë shkëputur nga ideologjia dhe metoda linçuese e diktaturës komuniste, kur njerëzit vlerësoheshin jo për atë që bëjnë, por për atë se me kë kanë lidhje miqësore, të gjakut dhe ato shoqërore”, shkroi ndër të tjera Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Policia kontroll në lokalin e "mikut" të Albin Kurtit! I tillë është titulli i një shkrimi të gazetës online Nacionale Berat Buzhalës. Gjithkush që ka fotografi me Kurtin, secili prej atyre që i kanë dhënë njëherë dorën, kushdo që i bë like Albin Kurtit, apriori konsiderohet "mik" i kryeministrit të Kosovës dhe nëse gjendet në shkelje të ligjit asocohet menjëherë me të. Madje edhe në rastet kur "krimi" i tyre është i paprovuar!

As sigurimi i UDB-së, KGB-së ose sigurimi i Shtetit të Shqipërisë nuk do ishte i aftë të ndërtonte një narrativë të tillë linçuese, diskriminuese dhe manipuluese si artikuj të tillë. Autorët duket se nuk janë shkëputur nga ideologjia dhe metoda linçuese e diktaturës komuniste, kur njerëzit vlerësoheshin jo për atë që bëjnë, por për atë se me kë kanë lidhje miqësore, të gjakut dhe ato shoqërore.

Kjo lloj gazetarie nuk do që të kuptojë faktin se në demokraci përgjegjësia është individuale. Po të mos ishte e tillë, atëherë figura kombëtare të shquara të shqiptarëve do të ishin të rrënuara për shkak të këtij standardi bolshevik të sulmeve kundër politikanëve. Por mesa duket në mungesë të fakteve për të sulmuar personin e personalitetin e kryeministrit, kundërshtarët e tij adresohen te metodat e UDB-së në këtë aksion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat