Abdixhiku del me një video, ia numëron Kurtit “aferat” dhe ka një porosi për qytetarët

Aktuale

Abdixhiku del me një video, ia numëron Kurtit “aferat” dhe ka një porosi për qytetarët

Nga: M.L. Më: 20 gusht 2023 Në ora: 21:25
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me arrestime e fundit të zyrtarëve të MINT-it dhe biznesmenit Rudvan Muharremi nën dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Abdixhiku ka publikuar një video në profilin e tij në Facebook ku ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit duke thënë se “aferat” e fundit janë vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë.

“Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim - është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë”, shkruan Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Mendojeni për pak.

Çfarë po provojnë të arsyetojnë?

- Një Kryeministër që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj - por me tender veçmas për të.

- Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë - siç na thotë Kryeministri vet - veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer.

- Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë.

Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion!

Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni!

Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim!

Asgjë mangut sot.

Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim - është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë.

Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një Qeveri e Kryeministër që mbron kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij?

Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. ‘Rruga e re’ po vjen, si domosdoshmëri e vet kohës, dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë. #rrugaere

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat