Serbia drejton gishtin e fajit nga Turqia, ja si Erdogan po nxit bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe po rikthen luftën në Ballkan

Aktuale

Serbia drejton gishtin e fajit nga Turqia, ja si Erdogan po nxit bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe po rikthen luftën në Ballkan

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 10:14
Aleksandër Vuçiç dhe Erdogan

Vjeshta nuk do jetë e lehtë për presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe vendin që ai drejton. Edhe vetë ai pret që situata të komplikohet, qoftë për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë, qoftë për shkak të Kosovës.

Serbët e arrestuar të akuzuar për gjoja krime lufte në vitet '90, shpallja e heqjes së licencës së MTS-së, një përpjekje për të përhapur idetë nacionaliste shqiptare, siç thotë presidenti serb, duket se janë vetëm “traileri” i një shtatori të trazuar.

Beogradi i druhet “Shqipërisë së Madhe” dhe duket se anëtarësimi i Kosovës në OKB, e garanton këtë. “Dhimbje koke” është bërë edhe fakti që ushtria e Kosovës po armatoset gjithnjë e më shumë, në rend të parë nga Turqia.  Kjo ka shtuar zhgënjimin  e Serbisë si dhe ka shtuar paranojat e këtij vendi.

Armatosja e Kosovës

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Millovan Drecun ka ngritur alarmin në “Blic TV”. Ai ka komentuar udhëtimin e Vuçiç në Hungari ku ishte planifikuar edhe një takim  me presidentin e Turqisë, marrëdhëniet me të cilin janë tronditur shumë.

“Padyshim që Turqia është një fuqi rajonale, por me ato ide neo-osmane për të rikthyer diçka nga ajo perandori osmane këtu, jo për nga territori, por për nga ndikimi. Turqia është një nga vendet më të rëndësishme që mbështet Kosovën e vetëshpallur dhe që armatos të ashtuquajturën ushtrinë e Kosovës. Turqia, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, këto janë shtetet kyçe jo vetëm për armatosjen e Kosovës, por edhe për stërvitje”, tha Drecan.

Po ai shtoi se Turqia do të vazhdojë një politikë të tillë të mbështetjes maksimale për forcimin e pavarësisë dhe veçanërisht për formimin e atyre të ashtuquajturave Forcat e Armatosura.

“Nuk është rastësi që Turqia mori komandantin e KFOR-it dhe se Turqia ka kontigjentin më të madh në KFOR”, shtoi kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën. Kujtojmë se ushtria e Kosovës është pajisur me dronët Bayraktar, për të cilët muaj më parë Ministria e Mbrojtjes kishte nënshkruar kontratë me një kompani prodhuese në Turqi. Po ashtu vendet kanë arritur edhe dy marrëveshje ushtarake.

“Shqipëria e Madhe”

Megjithatë, Drecan nuk duket aspak optimist për të ardhmen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Serbisë dhe Turqisë.

“Mendoj se Turqia nuk do të ndryshojë sjelljen e saj kur është fjala për qëndrimin ndaj pavarësisë së vetëshpallur të Kosovës dhe se nuk do të ndalet me mbështetjen e mëtejshme për pajisjen dhe trajnimin e pjesëtarëve të KBS-së. Dhe sigurisht që ka një efekt negativ në marrëdhëniet tona”, tha ai, duke argumentuar se Turqia po çon në destabilizimin e rajonit.

“Çdo krijim i një formacioni të tillë ngre alarmin për ‘Shqipërinë e Madhe’. Është vënë gurthemeli kryesor. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës dhe kushdo që e mbështet Kosovën e pavarur në fakt  mbështet konceptin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, tha Drecun. 

Është iluzion të mendosh se nëse Kosova do të bëhej anëtare e OKB-së, nuk do të bashkohej me Shqipërinë, atëherë të gjitha dyert do të ishin të hapura për këtë. Dhe atëherë askush nuk do të mund të shpëtonte as Maqedoninë e Veriut dhe as Malin e Zi. Pavarësisht se janë në NATO”, argumentoi kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën. 

“Turqia ka bërë një hap të madh pas këtu duke i dhënë një mjet të fuqishëm, sulmues ushtrisë së Kosovës”, përmbylli ai.

“Rindezja” e debatit

Kohët e fundit, vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë nervozoi Beogradin, pasi në vëmendje u rikthye ideja nacionaliste e “Shqipërisë së Madhe”. Lidhur me këtë, ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Politika e krijimit të Shqipërisë së Madhe është një proces që do të vazhdojë sepse Albin Kurti nuk ka ndërmend të ndalet”.

Kështu u shpreh Vuçiç në Dnevnik të RTS. Ai e quajti një “skandal”, ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovë Petar Petkoviç u shpreh se kjo është një marrëzi e shumëfishtë, sepse “deklarata të tilla bëhen në kohën kur haptazi angazhohet në destabilizimin e Maqedonisë së Veriut”.

Ideja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është lakuar shpesh si alternativë nëse rruga drejt anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE “ngec”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat