Abdixhiku: Kosovës i duhet “rruga e re”

Aktuale

Abdixhiku: Kosovës i duhet “rruga e re”

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 11:44
Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në vjeshtë të këtij viti do të prezantojnë të detajuar “Rrugën e Re”, që LDK e sheh si rrugë të vetme që Kosova duhet ta ndjekë.

Abdixhiku tha “nuk jam për të folur për të kaluarën, por për të ardhmen”.

“Unë besoj që Rruga e Re duhet të nis sa më parë. Sa më shumë që vazhdojmë me këtë Qeveri, me këtë polarizim, do të humbim shumë. Rruga e Re do t’i ketë 27 shtylla. Në vjeshtë do ta prezantojmë programin e Rrugës së Re”, tha ai.

Kryetari i LDK-së foli edhe për reformimin e partisë dhe mundësinë për zgjedhje të reja në Kosovë. Ai tha se ka bërë përpjekje të reformimit të partisë dhe hapjes së LDK-së ndaj njerëzve të rinj profesionistë.

“Në gusht 2021 e kemi humbur frikën për zgjedhje, sepse kemi parë fuqinë politikë të LDK-së. Ne jemi të interesuar të shfaqim partinë si alternativa e vetme në vend. Jemi më të fuqishëm sepse jemi më të organizuar dhe jemi më të fuqishëm sepse kemi ide më të qarta për të ardhmen. Jemi partia e vetme që nuk po polarizojmë dhe jemi partia e vetme që flasim për të ardhmen”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se “ka mobilizim të jashtëzakonshëm të strukturave të partisë dhe njerëzve të rëndësishëm të partisë”. Ai foli edhe për Prishtinën, e cila qeveriset nga LDK.

“Kur e kam sjell Përparimin në Prishtinë, kam qenë i vetëm. Njerëzit nuk e kanë njohur, por unë e kam njohur Prishtinën dhe e kam ditur se çka i duhet Prishtinës. Një arkitekt urbanist dhe një njeri punëtor, dhe po dëshmohet cdo ditë me punën e tij”, tha Abdixhiku. Në fund, Abdixhiku tha se “misioni i gjeneratës tonë është që të anëtarësojmë Kosovën në NATO dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, nëse Kosova është në këtë polarizim, nuk ka të ardhme evropiane dhe se rruga e vetme është “Rruga e Re”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat