​PDK me aksion simbolik para Qeverisë, në emër të VV-së hap konkurs për diler të drogës

Aktuale

​PDK me aksion simbolik para Qeverisë, në emër të VV-së hap konkurs për diler të drogës

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 14:34
Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes një aksioni simbolik para qeverisë ka reaguar sërish lidhur me aferën “Droga”, në të cilën ishte i përfshirë asamblisti në Komunën e Prishtinës, Besnik Mujeci, i cili u arrestua në Tiranë nën dyshimin për trafikim droge, ku i njëjti u përjashtua nga strukturat e Vetëvendosjes pas arrestimit të tij.

Me mbishkrimin “Konkurs për Diler të Drogës”, Rinia Demokratike e Kosovës derisa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për skandale të njëpasnjëshme, ka shpallur edhe ‘konkurs’ lidhur me këtë në emër të partisë në pushtet.

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Trim Syla tha se në emër të qeverisë në pushtet po shpallin këtë ‘konkurs’.

“Sot në emër të LVV-së kemi dalë për të shpallur këtë konkurs. Siç dihet asamblisti i kësaj partie është kapur me drogë me mbi 11 mijë e 300 doza ekstazi. Kjo ka bërë që kjo parti të mbesë keq për diler të drogës brenda dhe jashtë vendit. Kriteret e konkursit, përvojë pune në shtije, të jetë komunikativ, të ketë vetiniciativë, të moralizojë në rrjete sociale, të besojë verbërisht në VV, të flasë për bashkimin kombëtar. Ndërsa, detyrat dhe përgjegjësitë janë, të bëjë shpërndarjen e drogës në pikat e para caktuara, Prishtinë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë. Ndërsa, çfarë ofrojnë, amnisti në territorin e Kosovës, por nuk garantojnë për territorin e Shqipërisë”, tha Syla.

Syla derisa përmendi shifrat e papunësisë, tha se kjo qeveri ka para për drogë dhe jo për libra.

“Sot përderisa ne flasim, nga 1.2 milionë banor me të drejtë pune, 77 mijë janë të papunë, ndërsa 750 mijë banor të tjerë janë ekonomikisht jo aktivë. Ndërsa në dy vitet e fundit mbi 100 mijë banor, të rinj shumica, e kanë lëshuar vendin. Këto veprime, shitja e drogës e të gjitha këto kanë bërë që LVV të kontribuojë në largimin e njerëzve nga puna e nga vendi. Janë të lirë të aplikojnë të gjithë në konkurs, e keni adresën e të gjitha informacionet që ju nevojiten. Dhe për fund, kjo qeveri ndoshta libra dhe bukë nuk ka, por drogë ka sa të duash”, shtoi Syla.

Kujtojmë se, këshilltari komunal i Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është pjesë e një grupi prej pesë personash të arrestuar nga Policia e Shtetit në Tiranë në kuadër të operacionit antridrogë “Punisher 2”.

Mujeci së bashku me personat e tjerë të arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri” në Tiranë së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat