Deputeti i Vetëvendosjes: Besoj që nuk ka korrupsion në blerjen e rezervave shtetërore

Aktuale

Deputeti i Vetëvendosjes: Besoj që nuk ka korrupsion në blerjen e rezervave shtetërore

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 18:49
Agon Batusha

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka kurrfarë korrupsioni në blerjen e rezervave shtetërore.

I të njëjtit mendim është edhe deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha.

“Njëjtë edhe unë si kryeministri besoj që aty nuk ka korrupsion. Edhe në dosjen e Prokurorisë flitet për e vajit dhe sheqerit, pra vonesat e vajit dhe sheqerit. Është evidentuar që është vonesë,  nuk është mungesë, është vonesë e ardhjes së mallit, e produktit. Pro, te gruri e kemi, sipas pretendimeve të Prokurorisë mungesë, nëse nuk gabohem me shifra, të 50 tonëve grurë … 52 ton grurë, që i bie 0.5 për qind të komplet sasisë, të grurit”, deklaroi Batusha në emisionin Ditari në Tëvë1.

Më tej, ai ka thënë se të gjitha dyshimet duhet të sqarohen dhe se nëse dëshmohet së ka pasur keqpërdorim duhet të japin llogari përgjegjësit.

“Gjithsesi ajo që duhet të bëhet në këto raste, është të sqarohen gjërat deri në fund. Në qoftë se dikush qoftë një kokërr grurë e ka prek, një litër vaj ose një kilogram sheqer, për secilin duhet të përgjigjet kushdo qoftë ai. Për këtë nuk jemi duke e mohuar. Por në rastin aktual kur kemi pretendime, fillimisht kanë qenë pretendime që mungojnë dhjetëra miliona euro mall, produkte, ku thuhej që gjysma e produkteve nuk kanë ardhur, gjysma e grurit nuk ka ardhur dhe tani po del në vend të 50% po flitet për 0.5% që prapë nuk po e mohoj faktin që mungon dhe që duhet me u sqarua, por nuk është 50%, por 0.5%”, shtoi Batusha.

Megjithatë, deputeti i partisë në pushtet tha se nuk pajtohet me formën se si kanë shkuar procedurat e hetimeve, pasi thotë se bastisja në ministri nuk do të duhej të ndodhte në këtë fazë. Batusha vlerësoi se bastisja në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ishte tendencioze.

“Por ajo që unë nuk jam dakord dhe që mendoj se është shumë tendencioze është bastisja si akt. Për arsye se mund të vazhdohej me procedura të rregullta ku i thirr të pandehurit, i merr në pyetje, pastaj i kërkon kontratat, e bën monitorimin në depon sekrete ku prokurori i rastit do të duhej ta kishte certifikatën prej AKI-së, certifikatën e sigurisë dhe të qaset në depo, t’i shikoj dhe pastaj nëse ka dyshime deri ne 99% që po paska ndodhë diçka atëherë të bëjnë bastisje. Jo bastisje në hapin e parë.  Asnjëherë në Kosovë nuk ka ndodhë bastisje në hapin e parë. Kjo është standard i ri”, tha Batusha.

Ditë më parë ka pasur bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe arrestimit të dy zyrtarëve të kësaj ministrie dhe të një biznesmeni që ka bashkëpunuar me këta zyrtarët për blerjen e rezervave shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat