Deputeti ukrainas thotë se Zelensky nuk po e shqyrton njohjen e Kosovës

Aktuale

Deputeti ukrainas thotë se Zelensky nuk po e shqyrton njohjen e Kosovës

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 21:11
Oleksiy Goncherenko

Momentalisht, presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenksy, nuk është duke e shqyrtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kështu bënë të ditur për tëvë1, deputeti i parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncherenko. Megjithatë, ky i fundit shprehet i bindur se është vetëm çështje kohe derisa Kievi ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Ai tutje thotë se është shumë mirënjohës për mbështetjen e pakursyer që po tregon Kosova ndaj Ukrainës.

“Fillimisht dua të them se i jemi shumë mirënjohës Kosovës për mbështetjen që po tregon për ne. Problemi i vetëm qe kemi me Kosovën është se Ukraina akoma nuk ka vendosur që ta njoh pavarësinë e saj, prandaj unë kam propozuar në parlament që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur dhe ne ta njohim pavarësinë e Kosovës. Tani i takon Presidentit Zelenskyy që ta marrë këtë vendim, por momentalisht ai nuk është duke e bërë këtë gjë. Megjithatë unë jam shumë i bindur se kjo të ndodhë herët apo vonë”, tha Goncherenko për Tëvë1.

Gonachrenkos nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e zyrtarëve serbë të cilët thonë se Ukraina nuk mund ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, kjo çështje i takon vetëm Kievit, ndërsa ka treguar edhe për problemet që Ukraina ka momentalisht me shtetin serb.

“Të gjithë aleatët tanë kryesor e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës prandaj pse edhe ne të mos iu bashkohemi atyre. Nuk më interesojnë komentet e zyrtarëve serbë, sepse kjo është çështje e jona. Ne mund të kemi bashkëpunim të mirë me Serbinë edhe nëse e njohim Kosovën sikurse shtetet e tjera Perëndimore. Problemi i jonë në raportet me Serbinë është se kjo e fundit ndikohet shumë nga Rusia”, shtoi ai.

Kujtojmë që edhe pse Kosova nuk njihet nga Ukraina, ajo ka vënë sanksione ndaj Rusisë dhe ka ofruar mbështetje për Kievin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat