Ministri Murati iu reagon komunave që e çuan në Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë

Aktuale

Ministri Murati iu reagon komunave që e çuan në Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 12:54
Ministri i Financave Hekuran Murati

Ministri i Financave Hekuran Murati ka komentuar rreth asaj që komunat e Kosovës pak orë më parë dërguan në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.

Murati ka thënë se ky veprim i komunave është i kotë.

“Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese””, ka shkruar ai ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Për ligjin që e kishin miratuar vetë më 2018, ligj i cili parashihte vlerësimin e pronave sipas tregut, dhe që parashihte që përveç tatimit në objekte, të fillonte edhe të llogaritej tatimi në tokë me 100% të vlerës në vitin 2023, tentuan t’ia hedhin fajin qeverisë sonë.

Thanë se qytetarit po i vihej barrë e papërballueshme, dhe se po të ishte në dorën e tyre, do ta letësonin këtë barrë.

Qeveria Kurti e bëri këtë të mundur duke miratuar ndryshimin e Ligjit për Tatim në Pronë, ashtu që secila komunë të kishte mundësinë të falte faturat deri në 100 euro për vitin 2023, për të gjithë tatimpaguesit.

Dhe, çfarë bëjnë tash ata që para 6 muajsh “qanin hallin e qytetarëve”?

E dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese.

Pra, po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin.
Sidoqoftë, edhe ky veprim i tyre është i kotë.

Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”.

Por kjo nuk pin ujë.

Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat