Sindikata e Trepçës: Koha kur minatorët janë lënë nën mëshirën e fatit ka përfunduar

Aktuale

Sindikata e Trepçës: Koha kur minatorët janë lënë nën mëshirën e fatit ka përfunduar

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 17:24
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës gjatë ditës së djeshme ka mbajtur një takim me zëvendësministrin e Republikës së Kosovës, Getoar Mjekun, Valon Prebrezën, dhe me menaxhmentin e Ndërmarrjes.

Sipas tyre, ky takim ishte pa asnjë përmbajtje, qëllimi apo vullneti të sinqertë për të dhënë kontribut në tejkalimin e problemeve nga menaxhmenti, përcjell teve1.info

“Për korrektësi njoftoj anëtarët e sindikatës se ky takim ishte pa asnjë përmbajtje, qëllimi apo vullneti të sinqertë për të dhënë kontribut në tejkalimin e problemeve nga menaxhmenti. Përderisa Z.Mejku dhe Z. Prebreza diskutuan për rendësin e ndërmarrjes Trepca Sh.A., dhe nevojën për investime kapitale në ndërmarrje, duke mos u lëshuar në trajtimin e problematikave reale me të cilat ballafaqohemi vazhdimisht”.

Tutje në njoftimin e tyre, thuhet se “takimi i djeshëm përkundër dëshirës dhe përpjekjeve tona si sindikatë për të adresuar problematikat me të cilat ballafaqohemi dhe për të gjetur zgjidhje konkrete nga ana e menaxhmentit nuk kishte një përpjekje e sinqertë për të gjetur rrugën e bashkëpunimit dhe tejkalimit të sfidave me të cilat ballafaqohemi. Ne adresuam shqetësimin tonë lidhur me ndaljen e pagave për minatorët grevist, duke kërkuar ekzekutimin e plotë të pagave, por menaxhmenti refuzoi kërkesën tonë, duke lënë të kuptojmë se djersa e minatorit nuk do të kompensohet”.

Nga kjo sindikatë kanë thënë se koha kur minatorët janë lënë nën mëshirën e fatit ka përfunduar dhe se do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Të nderuar anëtare, ju njoftoj se dallimet ndërmjet menaxhmentit të ndërmarrjes dhe sindikatës tonë janë të thella. Qoftë për nga trajtimi i djersës së minatorëve për punën e tyre apo trajtimi i kërkesave të tyre. Ndalja e pagave për minatorët grevist është e papranueshme dhe do të na obligoj ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore, deri në realizimin e të drejtave tona. Ne minatorët e ndërmarrjes Trepça Sh.A. me shumë se kurdoherë duhet të jemi të bashkuar dhe të ia bëjmë me dije secilit që fati i minatorëve dhe buka e familjes se tyre nuk do ti lihet nën mëshirën e cilitdo kryeshef apo menaxhment. Koha kur minatorët janë lënë nën mëshirën e fatit ka përfunduar. Ne do të kërkojmë realizmin e të drejtave tona në çdo rrugë dhe mjet ligjor”.

Me tej, ata kanë shkruar se : Minatorët nuk nënshtrohen dhe nuk shantazhohen kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat