​Rritje të ngadalësuar ekonomike edhe në vitin 2023, kërkohet reforma

Aktuale

​Rritje të ngadalësuar ekonomike edhe në vitin 2023, kërkohet reforma

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 09:08
Qeveria e Kosovës

Rritje të ngadalësuar ekonomike Kosova do të ketë edhe në vitin 2023. Norma e kësaj rritjeje për këtë vit, sipas ekspertëve të ekonomisë pritet të jetë mes 3 dhe 4 për qind.

Kjo rritje ekonomike po cilësohet si e pamjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për uljen e papunësisë. Madje vlerësohet se nëse ky trend vazhdon kështu, edhe niveli i migrimit do të rritet.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri thotë për KosovaPress, se vendi ka shënuar ngecje ekonomike këtë vit.

Beqiri thekson se pavarësisht që Kosova ka mundësi shumë të mira të zhvillohet ekonomikisht, shton se qeveria nuk është ka seriozitet për punë në këtë drejtim.

“Mundësitë janë shumë të mira, Kosova i ka mundësitë shumë të mira, ka kompani mjaftë serioze, ka investitor dhe bashkë atdhetar që duan të investojnë, mirëpo këtu vihet në pikëpyetje sa është e interesuar qeveria që të investojë bashkë me qytetarët e vet. Sepse, investitori më serioz që është qeveria, ka ngecur me investime, po mburret me mungesë të projekteve dhe me mungesë të borxhit publik”, thotë Beqiri.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna thekson për KosovaPress, se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë 3.5 deri 3.7 për qind.

Këto parashikime, sipas tij janë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Parashikimet tona sillen me ato që i kanë dhënë FMN-ja dhe Banka Botërore që në këtë vit rritja ekonomike do të sillet 3 deri 3.7 për qind, ashtu siç është duke shkuar trendi ekonomike sot derisa po flasim”, thekson Rafuna.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Florin Aliu ka akuzuar qeverinë për mungesë të reformave të mirëfillta në vend. Sipas tij, rritja ekonomike në vend do duhej të ishte së paku dyfishi i asaj që është theksuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për një normë deri 4 për qind.

Aliu derisa thotë se qeveria ka ngecur në zhvillimin ekonomik. Teksa shton se nëse qeveria nuk gjen mekanizma për të zhvendosur rritjen ekonomike, parametrat e tjerë janë krejtësisht të parëndësishëm.

“Neve na nevojitet një rritje ekonomike për rreth 8 për qind, e cila mund të zvogëlojë këtë nivel të papunësisë, sepse potenciali ekziston. Në mesin e të rinjve, papunësia është edhe më e lartë, kjo tregon edhe fakti emigrimit kaq i madh i njerëzve, e cila kryesisht po ndodh për arsyeje ekonomike, pra janë të ardhurat e ulta. Ne duhet të gjejmë mekzanizma si të zhvendosim rritjen ekonomike, nëse këtë nuk arrijmë, atëherë parametrat tjerë janë të parëndësishme, sepse nëse kemi rritje ekonomike më të madhe, është buxheti më i madh, ka investime më shumë në çdo sektor”, thotë Aliu.

Derisa ka kërkuar nga qeveria të krijojë reforma të mirëfillta, ai thotë se nëse ky trend vazhdon kështu, edhe niveli i migrimit do të rritet.

“Kjo qeveri shumë pak është identifikuar për reforma, ose hiç, nuk mbaj mend ndonjë reformë serioze, e cila do të bënte një shpresë që potencialin e zhvillimit do e zhvendoste në një nivel më të lartë, e të mos diskutohen sanksionet nga BE-ja, ne varemi shumë edhe nga fondet...Në qoftë se ekonomia përkon më mirë, atëherë gjithë parametrat tjerë rregullohen, edhe migrimi fillon të ndalet, edhe krimi siç është paraqitur tash fillon të ulet, sepse njerëzit e punësuar kanë më pak kohë të merren me probleme. Prandaj, gjithmonë fokusi duhet të jetë ekonomia, reforma...Nëse ne vazhdojmë me këtë nivel të migrimit, atëherë rrezikojmë edhe qëndrueshmërinë ekonomike, por edhe rrezikojmë njerëzit e tjerë në Kosovë, migrantë”, shton mes tjerash Aliu.

Në vitin e kaluar vendi pati normën e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) rreth 3 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat