Midis ballafaqimit me të kaluarën dhe paqes në Ukrainë, këto janë dëshirat e Kurtit dhe Bërnabiqit

Aktuale

Midis ballafaqimit me të kaluarën dhe paqes në Ukrainë, këto janë dëshirat e Kurtit dhe Bërnabiqit

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 16:43
Pamje nga Forumi

Paqja, njohja e gjithanshme, të drejtat e pakicave e ballafaqimi me të kaluarën, janë disa nga dëshirat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që do të donte t’i shihte në rajon.

Kështu është përgjigjur ai në Forumin Strategjik “Bled 2023”, në panelin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, teksa me radhë janë pyetur se cila është dëshira e tyre si udhëheqës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

“Gjëja e parë do të ishte që të kemi paqe e pajtim në rajonin tonë që do të thotë njohje e gjithanshme, të drejta të pakicave dhe ballafaqim me të kaluarën që të mos ketë amnisti për kriminelë lufte por as për krimin paqe sepse ka shumë kontrabandim e krim të organizuar”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës thotë se njëkohësisht do të donte që i gjithë rajoni t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s.

“Ashtu që gjenerata e ardhshme të mos ketë asnjë vështirësi që ne kemi përjetuar”, shtoi ai.

Ndryshe nga kryeministri Kurti, për kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, “ e rëndësishme” është paqja në Ukrainë.

Kjo sepse sipas saj kjo do të sillte stabilitet edhe në të gjithë kontinentin.

“Shpresoj që të ketë paqe në Ukrainë fillimisht dhe shpresoj e mendoj që kjo do të sillte stabilitet në të gjithë kontinentin dhe për të gjithë neve, shpresoj për paqe në Ukrainë”, tha ajo.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni gjatë fjalës së tij ka pasur një polemikë me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq pasi ajo e quajti Kosovën pjesë të Serbisë.

“Së pari duhet të them se është vendi im nuk janë dy vende. E ashtuquajtura Republika e Kosovës nuk është vend ndërkombëtarisht i njohur, nuk është pjesë e OKB-së. Dyshoj se do bëhet pjesë e BE-së, së paku jo derisa të ketë njohje nga vendet e BE-së”, ka thënë Bërnabiq në pyetjen e bërë nga udhëheqësi i panelit në Forum tha se “të dyja vendet dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së”.

Pas kësaj deklarate, Kurti ka thënë se Kosova ka vënë sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia as nuk po i mendon dhe nuk janë distancuar nga Millosheviqi as nga Putini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat