Kurti takon ambasadorin amerikan në OSBE, flasin për dialogun dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike

Aktuale

Kurti takon ambasadorin amerikan në OSBE, flasin për dialogun dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 23:24
Foto nga takimi

Takimin e fundit të ditës së hënë në Bled, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e zhvilloi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua mbi “çështjet aktuale në vend dhe për procesin e dialogut, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

“Kryeministri theksoi se pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj pa incidente dhe protesta të dhunshme në katër komunat në veri, dhe ulje të prezencës së Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave të komunave përkitazi me situatën në teren, deeskalimi tashmë ka ndodhur, dhe se rieskalimi potencial duhet të parandalohet”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjatë panelit të liderëve në Forumin Strategjik të Bledit, Kurti foli për tensionet e fundit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ai tha se që dy muaj nuk ka pasur protesta të dhunshme në veri, duke shtuar se pret që të mbahen zgjedhje të reja lokale, “dhe shpresoj që të kemi fushatë të hapur dhe fer”, por për këtë, ai tha se i duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat