Seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, sërish në sesion privat

Aktuale

Seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, sërish në sesion privat

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 15:11 më 29.08.2023
Kadri Veseli në Hagë

​Dëshmitari i prokurorisë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të nëntëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dëshmitari me kodin 04566 po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe në seancë të mbyllur për publikun.

Prokurori Matt Halling e ka lexuar një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij në seancë publike, dhe sipas tij, kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të 04566.

Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, prokurori ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenoc.

Halling: Anëtari i familjes së dëshmitarit u mbajt i ndaluar ne Drenoc

Anëtari i familjes së dëshmitarit 04566 shkoi në Drenoc në vitin 1998 ku e mbajtën të ndaluar, pjesëtarët e tjerë të familjes shkuan të merrnin vesh për fatin e tij por nuk u lejuan ta shihnin. Anëtari i familjes 04566 u zhduk, 04566 dhe pjesëtarët e tjerë të familjes bënë shumë kërkime për të marrë vesh për fatin e të ndaluarit, pa sukses. Trupi i të ndalurit u gjet shumë vite më pas”, ka thënë prokurori Halling.

Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Ndërsa paradite ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit W03832, e cila është dëgjuar tërësisht në seancë private.

Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar 18 dëshmitarë, prej tyre vetëm tre në gjykatore kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Edhe seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, fillon sërish në sesion privat

Seanca e të martës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar në sesion privat.

Dëshmitari 18-të (me kodin 03832) ka filluar dëshminë ditën e djeshme, të cilën dëshmi e ka dhënë gjatë tërë kohës në sesion privat dhe po e vazhdon edhe sot në të njëjtën mënyrë.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër me gojë lidhur me çështjen e mosshtimit në listën e materialeve dokumentet që veçse janë në listën e materialeve që i ka pala thirrëse.

Gjykatësi Smith tha se ky ndryshim ka pasur të bëjë vetëm me kërkesën për palët dhe pjesëmarrësit për ngarkimin e dokumenteve nga lista e materialeve të palës që ka thirrur dëshmitarin.

Andaj, është vendosur që nëse një dokument nuk është në atë listë, atëherë çdo ekip do të vendos atë dokument në listën e vet të materialeve, me arsyetimin se trupi gjykues e vlerëson se kështu është më së miri të vazhdohet tutje.

Gjithashtu, nëse një dokument nuk është në listën e provave ende, palët duhet të lajmërojnë menjëherë për pretendimin e tyre për përpilim të pyetjeve apo kundër-pyetjeve duke u bazuar në atë dokument dhe se kjo do trajtohet nga trupi gjykues në rastin përkatës.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Edhe sot në Speciale, dëshmitari i 18-të kundër ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve. Sot pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i prokurorisë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Dëshmitari i mbrojtur W03832, apo dëshmitari i 18-të dje ka nisur dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari dje është mbajtur kryesisht në seancë të mbyllur për publikun.

Ndryshe në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë do të mbahen sot edhe nesër seancat gjyqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat