Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

Aktuale

Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 12:03
Caroline Ziadeh

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që të vazhdohen përpjekjet dhe përkushtimi për ta zgjidhur fatin e viktimave të zhdukjeve të dhunshme.

Ajo ka kërkuar që autoritetet ta kenë prioritet këtë çështje në mënyrë që edhe t’i zbusin vuajtjet e familjeve.

“U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja,” ka thënë Ziadehu në një deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

“Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

Ajo po ashtu e ka kujtuar vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për Promovimin e së Vërtetës, Drejtësisë, Dëmshpërblimit dhe Garancive për Mospërsëritje, z. Fabián Salvioli*, i cili kishte konstatuar se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte sjellë zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të së drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat