YIHR: Institucionet tona kanë dështuar të zbardhin fatin e personave të zhdukur

Aktuale

YIHR: Institucionet tona kanë dështuar të zbardhin fatin e personave të zhdukur

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 17:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukura me Dhunë, organizata jo qeveritare Youth Initiative for Human Rights (YIHR) ka organizuar aksionin “Dera e Pritjes”, përmes të cilit i bënë thirrje institucioneve që urgjentisht të merren me zbardhjen e fatit të 1616 personave të zhdukur me dhunë.

Aktivisti i organizatës YIHR, Visar Kukaqi derisa theksoi se institucionet kanë dështuar të bëjnë punën e tyre për 24 vjet, tha se kërkojnë nga institucionet që të kenë prioritet zbulimin e së vërtetës si dhe të sigurojnë përgjegjësi për autorët e krimit.

“Nuk duhet të kemi nevojë t’u kujtojmë institucioneve tona se zbardhja e fatit të të zhdukurve nuk pret as 24 sekonda, se le më 24 vite... U bëjmë thirrje me vendosmëri institucioneve tona që të njohin urgjencën e trajtimit të kësaj çështjeje si një komponent themelor të procesit të ballafaqimit me të kaluarën. Ne i kërkojmë atyre që të kenë prioritet zbulimin e së vërtetës, t’u japin ngushëllim familjeve të tyre dhe të sigurojnë përgjegjësi për autorët e krimit”, u shpreh Kukaqi.

Kukaqi, potencoi se dera e vendosur në shesh simbolizon agoni, trishtim dhe pikëllim, duke shtuar se kjo derë mishëron pritjen e stërzgjatur për zbardhjen e fatit të të zhdukurve më dhunë.

“Kjo është dera e pritjes, që sot e kemi këtu në shesh, por çdo ditë gjendet rreth e rreth Kosovës, në shtëpitë e familjarëve të të zhdukurve , të cilët ende nuk kanë qetësi të shpirtit e pushim të mendjes, të cilët janë dëshmitarë të një zhgënjimi epokal nga institucionet tona që kanë dështuar të bëjnë punën e tyre plot 1616 herë për plot 24 vjet të gjata. Nuk mund të mendojmë për të ardhmen, për zhvillimin e Kosovës, për demokracinë për paqen, për bashkëjetesën kolektive pa ballafaqim të mirëfilltë me të kaluarën”, tha Kukaqi.

Tutje, aktivisti Kukaqi u shpreh se nuk do të ndalen derisa të vendoset drejtësia, të zbulohet e vërteta dhe të zbardhet fati i 1616 personave të zhdukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat