Anton Quni për deklaratën e Klinakut: Mendësi e mesjetës

Aktuale

Anton Quni për deklaratën e Klinakut: Mendësi e mesjetës

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 18:01
Anton Quni

Deklarata e Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinakut mbrëmë i habiti të gjithë.

Ai tha se më parë do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, se sa të ikte nga Kosova.

Kjo deklaratë e tij ka ngjallur deklarata të shumta.

Disa po e mbështesin, e shumë prej tyre kanë dalë kundër kësaj deklarate.

Pikërisht, për këtë Klinaku është intervistuar sot nga Policia e Kosovës.

Të papranueshme një deklaratë të tillë e ka quajtur ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Anton Quni.

“Me mendësinë e mesjetës kur dikush e merr të drejtën për të kërcënuar e linçuar verbalisht apo fizikisht, është e papranueshme për një shoqëri të civilizuar”, ka deklaruar Quni.

Sipas Qunit, askush nuk ka të drejtë të rrezikojë jetën e tjetrit.

“Flijimi dhe sakrifica e luftëtarëve dhe dijetarëve për lirinë e Kosovës, në një shoqëri demokratike, vlerësohen dhe çmohen vetëm duke e fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit dhe duke i avancuar vlerat e demokracisë. Askush për asgjë nuk e ka të drejtën individuale të rrezikojë jetën e kujtdo qoftë”, është shprehur ish-komandanti Quni.

Ndryshe, për deklaratën e dhënë organizata joqeveritare “Lëvizja për Demokraci”, ka kërkuar arrestimin e Faton Klinakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat