Bici: Gjuha e Klinakut dhe e Demaliajt nuk e përfaqëson luftëtarin e as veteranin e UÇK-së

Aktuale

Bici: Gjuha e Klinakut dhe e Demaliajt nuk e përfaqëson luftëtarin e as veteranin e UÇK-së

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 22:24
Protesta UÇK

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Aziz Bici, ka reaguar mbi deklaratat e bëra nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UCK-së, Faton Klinaku, për kryeministrin.

Bici tha se Klinaku e kërcënoi Kurtin, dhe të njëjtin kërcënim e bëri dy herë.

“Dje, u.d. i Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku fillimisht tha se ‘më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova’, e më pas, në vend që të reflektojë, e përsërit kërcënimin e njëjtë”, ka shkruar Bici.

Sipas tij, po bëhet hera e dytë që brenda rreth një muaji kryeministri i vendit po kërcënohet publikisht, dhe se në të dyja rastet kërcënimet vijnë nga njerëz që flasin në emër të veteranëve të luftës dhe që përfaqësojnë ata.

“Në fund të muajit korrik, ish-deputeti i AAK-së dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili duke folur për veteranët dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë, kërcënonte institucionet dhe kryeministrin ndër të tjerash kishte thënë se ‘kur vijnë ata, nuk vijnë për me i tha puna e mbarë’”, është shprehur këshilltari kryeministrit.

Ai tha se gjuha e tyre është e papranueshme për këdo, e “veçanërisht e papërgjegjshme, e padinjitetshme, dhe jokombëtare, për dikë që flet ose përfaqëson veteranët e luftës”.

Bici tha se nuk duhet të pajtohemi për asnjë moment, “as si shoqëri e as si veteranë të luftës, që me aq lehtësi të flitet për sulme, kërcënime dhe vrasje të kryeministrit të vendit tonë”.

“Nga gjuha e tilla duhet të distancohen të gjithë. Ajo nuk e përfaqëson luftëtarin e UÇK-së e as veteranin e luftës. Luftëtari i UÇK-së ka mbrojtur dhe luftuar për vendin. Ai nuk kërcënon, nuk sulmon e as nuk vret. Gjeneratat e reja nuk duhet ta krijojnë përshtypjen se kush ishte UÇK-ja përmes gjuhës dhe deklaratave të këtilla irracionale”, përfundoi Bici. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat